Sot në mesditë, në Antalia, ku kombëtarja kuqezi po zhvillon përgatitjet për miqësoren e së hënës me Turqinë, kanë dalë në konferencë shtypi dy futbollistë, Elseid Hysaj dhe Armando Sadiku.
Shkodrani i Napolit ka nënvizuar në fjalën e tij se “Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur. E dimë që luajmë kundër një kundërshtari shumë të vështirë. Kemi pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur këtë miqësore, këtu në Antalia. Jemi njohur më shumë me njëri-tjetrin dhe trajnerin. Besoj se kjo ndeshje do të tregojë qartë se ku kemi arritur dhe ku jemi me grupin tonë. Turqia ka lojtarë me cilësi shumë të mira, që luajnë me klube shumë të larta europiane. Ky kundërshtar do të na vërë në provë të fortë, ndaj duhet të tregojmë sa vlejmë”.
Ai më tutje ka pohuar se do të rritet besimi te kombëtarja në rast të një fitoreje në Antalia.
“Po qe se do të fitojmë, do të rritet edhe vlerësimi për ne. Të jesh në grup me Spanjën dhe Italinë kuptohet se ishte shumë e vështirë që të kualifikoheshim. Vendi i tretë në grup, që arritëm, është një pozicion i mirë për ne. Duhet të kuptojmë se ku kemi gabuar, të përqafojmë gjërat e mira dhe të sistemojmë e korrigjojmë gjërat e gabuara.
Kështu duhet ta përgatisim veten për fushatën eliminatore të Europianit të ardhshëm. Kemi kaluar disa ditë bashkë këtu, si skuadër. Jemi një grup fantastik. Kalojmë shumë mirë bashkë, i japim një dorë njëri-tjetrit. Edhe djemtë e rinj, që kanë ardhur, ndihem mjaft mirë në kombëtare. Këtë ta thonë edhe ata vetë, po t’i pyesësh.
Kanë qejf që të jenë në kombëtare, që të japin maksimumin, ndaj do të jenë një ndihmesë e madhe. Me ndihmën e të gjithëve do të arrijmë nivele më të larta. Napoli? Fitimi i kampionatit do të ishte një gjë shumë e madhe. Tifozët tanë kanë 30 vite që po e presin këtë gjë. Këtë vit është mundësia më e mirë për të treguar veten tonë dhe për të realizuar objektivat. Po luajmë mirë, çka e kemi treguar deri tani. Na u dëmtua një lojtar i rëndësishëm, Ghoulam, por duhet të mendojmë se kemi lojtarë të tjerë, të cilët do të na japin një ndihmë të madhe. Besoj se do t’ia dalim”.