Çështja e barazisë gjinore e ka përcjellë shoqërinë njerëzore në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. Kjo temë është ngritur shumë herë në nivel të debatit shoqëror,ku edhe me kalimin e kohës në histori na shfaqen edhe organizata të cilat i proklamojnë ose luftojnë për fitimin e të drejtave themelore te femrave,e që në thelb janë të drejta themelore njerëzore por për një kohë të gjatë të mohuara për shkak të përkatësisë gjinore.
Popujt e demokracisë perëndimore,kanë arritur që në një masë të konsiderueshme ti konsolidojnë këto të drejta dhe ti bëjnë pjesë të sistemeve të tyre dhe të korpusit të vlerave që transmetojnë. Teksa te popujt e tjerë ,ku e drejta zakonore deri në shekujt e fundit ka pasur një ndikim të madh,vije fjala tek shoqëria shqiptare dhe ku nëpër zona të caktuara ende ka ndikim të madh në mbarëvajtjen e jetës shoqërore, pozita e femrës në shoqëri ndryshon.
Edhe pse jo shumë larg zonave urbane,ende ekziston mendimi patriarkal mbi femrën dhe pozitën që ajo duhet të zë në shoqëri,atë shqiptare përkatësisht. Mentalitet ky, i cili pavarësisht kundërshtimit që i është bërë dhe ka arritur të transformohet në një masë,sot përveç patriarkalizmit që është prezent,ne përballemi me atë se si po pasqyrohet femra nga ato grupe njerëzish që e shquajnë veten për një mendim ndryshe ose të themi më liberal.
Por, në thelb çështja qëndron ndryshe,ose thënë më mirë duhet shikuar nga një prizëm tjetër. Femrat që luftojnë kundër mentalitetit patriarkal dhe të vjetruar,apo edhe ato që nuk janë viktimë e këtij mentaliteti por thjesht duan që zëri i tyre të dëgjohet,të jenë pjesë aktive e shoqërisë, kë model duhet të ndjekin,ose thënë më mirë a ekziston një model i tillë në shoqërinë tonë,të mbytur nga komplekset e shumta.
Kohëve të fundit,çdo ditë e më shumë mund të jemi dëshmitar të bastardizimit të imazhit të femrës. Në këtë kontekst ne përballemi me dy ekstreme të shoqërisë shqiptare,teksa njëra anë përpiqet ti gjejë dhe t’i avancojë këto vlera aq shumë të proklamuara,ana tjetër në mënyra të ndryshme i hedh poshtë dhe bën të duken të parëndësishme.
Çka është edhe më shqetësuese,është vetë fakti se ky fenomen social përveç që manifestohet tradicionalisht nga gjinia e kundërt të cilët janë edhe sot faktor të rëndësishëm në këtë çështje,por gjithashtu ky shtrembërim i imazhit të femrës,në masë të madhe bëhet edhe na ana e një pjese të caktuar të gjinisë femërore.
Si bëhet kjo?!.. gjithë secili nga ne në ditët e sotme ka kyçje të bollshme në media dhe në botën e informacionit në përgjithësi. Por,me çka ndeshemi në të vërtet secili prej nesh është përpjekja jonë mbi përcaktimin e asaj se çka është vlerë dhe antivlerë. Kur, jemi te imazhi i femrës shqiptare dhe ajo çka ato përçojnë në paraqitjet e tyre publike,na paraqitet e njëjta dilemë. Porsa,hapim kanalet televizive,telefonat mobil,rrjetet sociale,gazetat e shkruara,ose kyçja në mjetet e tjera të informimit,ne përballemi me individë,kryesisht femra që sot kanë ndikim në një grupmoshë relativisht të re. Imazhe të përcjell-ura me zhveshje,skandale lidhjesh,ndarjesh.
Gjithashtu nëpër rrjetet sociale imazhi i femrës vlerësohet në bazë të kilogramëve të produkteve të makijazhit që ajo përmban, botoksit që ka investuar dhe rrobave që ajo mban veshur. Një botë komplet sipërfaqësore,e dominuar nga kompleksi i dukjes së jashtme. Në këtë mënyrë,shumë vajza të reja,që ende janë në fazën e krijimit dhe zbulimit të vetes së tyre,krijojnë imazhin e femrës “ideale” që ato duhen të jenë.
Më besoni nuk ka të bëjë fare me idealen. E gjitha,kjo lidhet me presionin shoqëror i cili ka rol të vazhdueshëm nëpërmjet mekanizmave të tij qofshin virtualë apo të botës reale,të cilët përcaktojnë parametrat e një femre.Ndonjëherë nuk duhet përjashtuar as vrapi i mundimshëm që bëhet për të ndjekur trendet globale,pa marrë parasysh se çka përfaqësojnë.Por,hej gjersa janë globale,ato duhet ndjekur.
Kjo,është edhe logjika që ndihmon në bastardizimin në masë të shumë elementeve që e përbëjnë shoqërinë e në këtë rast,njëra prej tyre edhe femra.Duke kuptuar gjithë këtë ndikim,është fare e lehtë pastaj të shpjegosh,atë që ne shohim çdo ditë. E, ajo që ne shohim çdo ditë, nga grupmoshat e reja është vetëm se reflektim i një mosbesimi të madh në vetvete që ky presion social shkakton.
Por,çfarë për ato femra që kanë arritur të zënë një vend,në jetën shoqërore dhe politike të këtij vendi të vogël,a po përcjellin ato vlerat e duhura të cilat do të bënin të ecte përpara këdo,në veçanti vajzat e reja që çdo ditë ndoshta edhe pa vetëdijen e tyre janë në kërkim të një roli model,për ti avancuar aspirimet e tyre për të ardhmen.
Gjithçka që kanë treguar deri tani është se,po mund ti futesh një pune nëse je e bukur,nëse vishesh firmato apo nëse ke dikë nga mbrapa. Gjithmonë ka përjashtime edhe në këto stereotipe, sigurisht,edhe në shoqërinë që po e ilustroj,por ironia është që llumi i antivlerave dalëngadalë po arrin ti zë frymën vlerave. Fakti që hidhet vreri mbi personalitete publike femërore,është se zëri i tyre mund të dëgjohet,nëse ato refuzojnë të mos heshtin,sepse kemi parë shumë herë se po këto personalitete publike kanë qenë pre e këtij trajtimi që i bëhet sot femrës,në vendet tona.
Andaj , nëse ne duam që të kemi femra të pavarura që i kundërvihen këtij mentaliteti dhe jo ti nënshtrohen, nëse ne duam të kemi një barazi gjinore në raportet meshkuj-femra,cilin model duhet të ndjek një adoleshente,por njëkohësisht cili është edhe opinioni që një adoleshent mashkull duhet të ketë mbi gjininë e kundërt
…. Të vajzës së Instagramit,asaj me rroba firmato,apo asaj që zhvishet dhe përdridhet në videoklipe të këngëtarëve që e mendojnë veten pjesë të një bote surreale?!
Ndoshta i gjithë ky diskutim,mund të ngjasojë me tone feminizmi, i tillë është në fakt,por më besoni se feminizmi asnjëherë nuk ka për qëllim që femrat të fitojnë fuqi mbi meshkujt,por që femrat të fitojnë fuqi mbi veten. Që femrat,të jenë femra që i besojnë njëra-tjetrës.
Më besoni që pas femrave të suksesshme duhet të gjendet një karvan me femra,jo që përshpërisin pas shpinës së tjetrës,jo që urrejnë njëra tjetrën,por femra që ndihmojnë njëra-tjetrën të ngjisin majat. Të aspirojmë që këto të jenë parametrat që përfaqësojnë një femër të vlerave,përpara se imazhi përfaqësor të mbillet në shoqërinë e së ardhmes,dhe dikur të mos kemi asgjë për të ofruar,por të lëmë shumë për të dëshiruar.
Nëse ne kemi kaluar faza të ndryshme dhe shumë herë jo të lehta,sa i përket formimit të një shoqërie ku tentojmë të përfshijmë bërthamën e saj e cila në çdo shoqëri është e përfaqësuar me femrën,atëherë ne nuk ja kemi arritur. Çka ne kemi arritur të bëjmë gjatë këtyre viteve,është jo të zhvillojmë dhe të ngrisim imazhin e femrës,por ta përdorim atë. E përdorim sa herë që mendojmë se me ndihmën e saj mund të arrijmë qëllimet që duam dhe të krijojmë një ndikim në shoqëri.
E përdorim si kartë elektorale, e përdorim si objekt në videoklipe, e përdorim për të shkaktuar bujë në portale, e përdorim në politikë për ti treguar demokracive perëndimore se ne si shoqëri jemi pro avancimit të femrës në të gjitha fushat e jetës sociale dhe politike, e përdorim duke ja siguruar me kushtetutë një përqindje të caktuar ulësesh në parlament dhe besomëni të gjitha këto nuk bëhen për shkak se te shumica e gjinisë mashkullore ekziston vetëdija se ky është vendi që femra duhet të ketë në shoqëri.
Por, gjithçka bëhet në kuadër të një farze e cila përdorët për arsye të ndryshme,dhe asnjë femër nuk duhet të pranojë të trajtohet si farzë.
Andaj, në dilemën e asaj se kë duhet të ndjekim,unë ju them ndiqni veten,imazhin tuaj, distancohuni nga dispozitat apo parametrat që i përcakton shoqëria mbi atë se çfarë ju duhet të jeni, nëse doni diçka punoni për ta marrë,pa askënd mbrapa, dilni jashtë edhe pa doza të makijazhit,nuk mund të lejoni që produktet ose dikush që ju thotë se nuk dukeni bukur të ju përshkruajnë dhe krejt në fund luftoni për atë që besoni.
Por, ajo çka duhet të kemit në mend është se kjo betejë,nuk i përket vetëm femrave,por më shumë se femrave i përket meshkujve. Sepse, pozita e femrës në një shoqëri të caktuar është indikatori dhe përshkruesi më i mirë, i mendësisë së gjinisë së kundërt. Kjo,nuk i prek vetëm se femrat si pjesë përbërëse të shoqërisë, por prek shoqërinë në tërësi,dhe si fenomen i cili futet aq thellë në shoqëri nuk duhet të jetë sferë interesi vetëm për një bllok të caktuar.
Por, për shoqërinë e së ardhmes,për nëna,vajza,motra që duam ti shohim të fuqishme dhe të pavarura në jetë,ne duhet të punojmë për njëri-tjetrin dhe asnjëherë kundër njëri-tjetrit.!!