Përmbushja e detyrimeve që dalin nga MSA-ja për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, kryesuar nga Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit, si dhe nënkryetar i këtij Komisioni.
Duke folur për qëllimin e këtij takimi, nënkryetari Hamiti tha se, në kuadër të angazhimeve të komisionit, informimi për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në mbetet parësore. Ai bëri të ditur se takimet si ky i sotmi janë duke u zhvilluar me të gjithë dikasteret qeveritarë. Po ashtu, ai kujtoi se këto angazhime të Komisionit janë duke u realizuar në prag të takimit të tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet në Prishtinë, në fund të këtij muaji në Prishtinë.
Lidhur me përmbushjen e MSA-së nga MPB-ja, ndërkaq, njoftoi i pari i kësaj ministrie, Skender Hyseni.
Duke folur para anëtarëve të Komisionit, ministri Hyseni njoftoi se detyrimet nga MSA-ja për këtë ministri burojnë nga kapitulli i 24 i marrëveshjes dhe përmban 97 masa, ndër të cilat janë përmbushur 79 prej tyre. Shprehur në përqindje, kjo ministri, tha ai, ka përmbushur 81% të detyrimeve të MSA-së.
Masat e pazbatuara (18 sosh), njoftoi më tej ministri, janë ndërveprime institucionale dhe i përkasin fushës së drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, ndërkaq, u shpreh i bindur se bazuar në dinamikën e punës, gjatë vitit në vijim do të përmbushen edhe ato.
Edhe sot ministri Skënder Hyseni raportoi me dyer të mbyllura ndonëse ka pasur reagime edhe nga opozita dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.