Hyseni: KPK-ja rastet e dhunimit i trajton me urgjencë, ani pse s’bëhen publike

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 11:15 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se për rastin e dhunimit të 16 vjeçares në Drenas, duhet të diskutohet me dyer të mbyllura në gjykatë dhe pa praninë e publikut, raporton Ekonomia Online.

Hyseni para deputetëve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, tha se ftesës së anëtarëve të këtij komisioni, i është përgjigjur për të respektuar rastin, i cili është i ndjeshëm.

“Rastet penale janë që duhet të trajtohen në salla të gjykata e në prokurori të shtetit e aq më pak rasti që po flasim që i takon një konfidence që duhet të mbahet në publik sepse ka të bëj me një të mitur dhe nëse do duhet të bisedohej për rastin duhet me dyer të mbyllura”, tha Hyseni.

Ai shtoi se rastet e ngacmimeve seksuale dhe dhunimit janë raste me urgjencë dhe trajtohen si të tilla menjëherë. Sipas tij, në përgjithësi janë rreth 75 mijë raste të cilat janë trajtuar vitin e kaluar.

Për rastin e 16 vjeçare në Drenas, Hyseni tha se nuk është i vetmi, por është bërë medial.

“Rastet trajtohen me urgjencë për çdo rast që ka të bëj me ngacmime seksuale dhunime, nuk ka mundësi me pushu, në rastin konkret nuk ka pushu. Ne do vazhdojmë me trajtuar rastin si kërkohet nga kodi i procedurës penale për çdo veprim tonë do të lëshojmë komunikata për aq sa na lejohet sepse nuk kemi të drejtë me ndërhy në punën e prokurorit”, tha Hyseni.

Hyseni pohoi se sipas dyshimeve të bazuara për momentin janë tre të arrestuar, dy në paraburgim, ndërsa njëri prej tyre në arrest shtëpiak.

“Me shqetësim e kemi marrë kemi vepruar menjëherë, rasti është bërë medial por ka pas raste tjera që janë trajtuar janë dënuar nuk është rast i parë kemi pas edhe dënime të rënda për raste të tilla si në Ferizaj, ajo çka duam të ju njoftojmë ne i njoftojmë edhe publikun me komunikata, për shkak të dyshimit të bazuar janë të arrestuar tre persona, dy në paraburgim e tjetri arrest shtëpiak, do vazhdojmë me procedura por pa thënë në detaje se pse rasti është në fjalë është rast penal”, tha Hyseni.

Ai tha se secili person që vepron në kundërshtim me kushtetutë e ligj do të marr dënimin e merituar.

“Secili që bie ndesh me dispozitat ligjore e ka neglizhuar punën e vet do të marr dënim të merituar nëse ka ra ndesh me ligj, kushtetutë çdo rast i cili është në kundëshrshtim me kodin e procedurës penale sic është rasti në Drenas”, tha ai.

Kryesuesja e komisionit, Duda Balje, tha se komisioni nuk e ka për qëllim të ndërhyj ne gjyqësor e as në prokurori po ashtu as të pyesin për detajet, por vetëm se për ecurinë e procesit.

“Ne nuk ju kemi thirr për detaje të rastit, gjithë Kosova ka informata por ne ju kemi ftuar me shikuar se si po ecë procedura dhe si me ecë më shpejtë e më drejtë”, tha Balje.

Deputetja Teuta Haxhiu, tha se ky rast pasi që është bërë medial prandaj edhe e ka rëndësinë e saj dhe më tepër që janë të lidhura tre institucione të rëndësishme.

“Kudo ka raste individuale, kemi polic që janë shembull, por njerëz të tillë kudo meritojnë të kenë dënim meritor dhe të tjerët mos ta ngjyrosin”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, kërkoi sqarime për heshtjen e hetimeve nga ana e prokurorisë në Drenas, në rastin kur dyshohet se e mitura është dhunuar nga mësuesi i saj.  

“Heshtja e hetimeve te prokuroria e Drenasit, ajo që dua të di sipas ligjit gjatë intervistimit të të miturve duhet të ketë shoqërues prindërit dhe psikologun klinik, a ka qenë psikologu klinik gjatë intervistimit të të miturës për të parë de a ka presione për të tërheq lëndën”, tha Veseli-Gutaj.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se për momentin janë në fazën e grumbullimit të fakteve dhe çdo pushim i hetimeve mund të hapet nëse del ndonjë tjetër fakt.

“Prokurori i rastit e ka marr rastin e ka trajtuar dhe ka vendos me pushu hetimin, të të miturit nuk ka mundësi me marr deklaratë pa qenë prezent përfaqësuesi ligjor apo avokati unë besoj se e ka pas por nuk do lëshohem në këtë sepse lënda është në hetim”, tha Hyseni.

Të ngjashme