Gjatë vitit që lamë pas autoritetet në Kosovë kanë arrestuar 33 persona në kuadër të operacioneve për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Shifrat e ministrisë së Brendshme flasin për 30 kallëzime penale ndaj 78 individëve dhe 32 bastisje në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni i tha Zërit të Amerikës se veprimet e autoriteteve kanë bërë që të ndërpritet pothuajse në tërësi shkuarja e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë.
“Dhe po bëhet gati një vit që nuk kemi raste të regjistruara. Po e theksoj, të regjistruara sepse, mund të ketë raste që kanë shfrytëzuar rrugë dytësore e të treta për të shkuar në Siri, që ne nuk i dimë. Mirëpo, ai numër, edhe nëse ka ndonjë, është shumë i vogël që të mos them, i papërfillshëm”, tha ai.
Për ekspertët e çështjes thonë se derisa grupi militant Shteti Islamik po humbë territore në Lindjen e Mesme, ai mund të provojë përshtatjen e taktikave të reja për sulme në perëndim. Ministri Hyseni thotë se krahas forcimit të luftës kundër ekstremizmit po ndodhë edhe ndryshimi i rrugëve të radikalizmit dhe jetësimit të sulmeve në botë.
“Tash ka dalë ky fenomeni i ujqërve të vetmuar siç po quhen, “lonely wolves”. Njerëz të ekstremizuar, të radikalizuar skajshmërisht, po që nuk janë të organizuar ose të lidhur në ndonjë grup. Dhe, ne si polici dhe si MPB, tashti e kemi fokusuar edhe këtë fenomen që të mos zihemi në befasi dhe të mos na ndodhë, larg qoftë, që ai ose ajo, ndonjë ekstremist i dhunshëm të hedh veten ne ajër dhe ndonjë qytetar të pafajshëm. Domethënë evoluon lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, por në të njëjtën kohë evoluon edhe mënyra e radikalizmit dhe zbatimit të akteve terroriste”, tha ministri Hyseni.
Në fillim të muajit nëntor Policia e Kosovës tha se në një varg operacionesh janë arrestuar 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon.
Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.
Sipas autoriteteve “persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin Lavdrim Muhaxheri, nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit”. Lavdrim Muhaxheri, u bë i njohur në korrik të vitit 2014 pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij. Në dhjetor, mediet italiane shkruan se ai kishte qëndruar në Kosovë, por kjo u mohua nga autoritetet në Prishtinë.
“Më lejoni të them që në start se janë spekulime këto, spekulime absolutisht mediale që ai zotëria për të cilin po flisni është në Kosovë. Nuk është. Do ta ‘mirëprisnim’. Sido që të jetë unë nuk do të lëshohem më shumë në detaje për hir të integritetit të hetimeve që janë në vijim, sepse i kemi 17 të arrestuar që janë duke u intervistuar, duke u marrë në pyetje. Është një proces pra prokurorial dhe gjyqësor që do të zhvillohet”, tha ministri Hyseni.
Autoritetet hodhën poshtë shkrimet që flasin për qindra luftëtarë të kthyer nga Siria gjatë vjeshtës së vitit që lamë pas.
“Duhet të bëjmë çmos si shtet që të parandalojmë një përpjekje, që është përpjekje dëshpëruese për të stigmatizuar shqiptarët si element ekstremist dhe nuk guxojmë ne assesi që t’i kontribuojmë asaj përpjekjeje që vjen qoftë nga Serbia, qoftë nga Rusia, qoftë nga anë të ndryshme, kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, për të shënjuar shqiptarët si popull që ka prirje radikaliste ose islamiste, sepse është e kundërta. Shqiptarët janë e kundërta e asaj. Shqiptarët shquhen për tolerancë fetare, për mirëkuptim dhe harmoni ndërfetare. Jemi popull që u përkasim katër-pesë konfesioneve”, tha ai.
Që nga viti 2012 rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.
“Mirë, për kokë banori Kosova ka dhënë një numër të madh të luftëtarëve të huaj. Mirëpo, në të njëjtën kohë, për kokë myslimanësh, Franca dhe Belgjika kanë dhënë më shumë sesa Kosova”.
Ministri Hyseni thotë se Kosova njëkohësisht është vlerësuar si më e suksesshmja në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm që sipas tij duhet të jetë përgjegjësi e të gjithëve dhe asnjë shtresë e shoqërisë në Kosovë nuk mund të amnistohet nga kjo përgjegjësi.
“Sidomos nuk mund të amnistosh nga përgjegjësia individë ose grupe politike që absolutisht heshtin, e kanë futur kokën në zall dhe nuk e kanë guximin elementar edhe qytetar edhe politik që të flasin kundër ekstremizmit, kundër radikalizmit. Kalkulojnë, bëjnë kalkulime të mjera, kalkulime mjeranësh me ndonjë grusht vota dhe kjo i bënë që të heshtin karshi një rreziku aq të madh që i kanoset edhe shqiptarëve si komb, por edhe Kosovës si shtet”, tha ministri Hyseni.
Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash rreth 40 janë dënuar nga gjykatat.
Instituti për Ekonomi dhe Paqe në Indeksin e Global të Terrorizmit për vitin 2016 ka radhitur Kosovën në vendin e 70-të ndërsa Shqipërinë në vendin e 92-të të listës së vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi. /VoA/