Kryetari i LDK-së në Podujevë, njëherit kandidat për deputet, Ekrem Hyseni, me numër 16, gjatë ditës së djeshme ka pasur një sërë takimesh gjithandej Llapit e Gollakut. Hyseni, mbrëmjen e ka përmbyllur me pritjen që i është bërë në familjen Kuleta në Tërrnavë dhe në lagjen Pireva në Lupç, raporton Ekonomia Online.
Sipas Hysenit, kjo përkrahje dhe kjo vendosmëri që po gjejmë gjithandej në familjet, në lagjet e fshatrat e komunës sonë është frymëzimi më i fuqishëm drejt 9 shkurtit.
“Jemi bërë bashkë, jemi bërë një për fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë dhe gjithandej Republikës!”, ka shkruar Hyseni.
Ai tutje ka thënë se pas një dite plotë angazhim, përkrahje e mobilizim, nuk kishte më mirë si të përmbyllej kjo ditë përveçse me mikpritjen e ngrohtë që gjetëm në lagjen Pireva, në Lupç.
“Vërtetë, nder i madh! Vërtetë, ju bëni krenar secilin! Këto janë familjet Llapjane! Ky është Llapi ynë!”, ka shkruar Hyseni. Ai ka pohuar se sa më afër 9 shkurtit, aq më afër ndryshimit, duke shtuar se, ky ndryshim është vullnet e përcaktim qytetar.
Në fund, Ekrem Hyseni ka falënderuar secilën familje, secilën lagje e secilin qytetar të Llapit e Gollakut për këtë përkrahje të fuqishme.