Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, është ftuar për drekë këtë të premte nga ambasadori amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier.
Hyseni ka bërë të ditur se me Hovenier biseduan zhvillimet në Kosovës dhe domosdoshmërinë e dialogut të përshpejtuar me Serbinë, njofton Klankosova.tv.
“Sot isha i ftuar për një drekë, në rezidencën e tij, nga ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier. Bëmë një bisedë shumë të hapur dhe përmbjatësore për aktualitetin në rajon, me theks të veçantë për zhvillimet në Kosovë dhe domosdonë e dialogut të përshpejtuar me Serbinë. Theksova se Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër! Me ambasadorin Hovenier kishim pajtim të plotë se status-quoja është kundër interesave afatgjata të Kosovës dhe SHBA-ve”.
Tutje, Hyseni tregon se me Hovenier patën pajtim se çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status-quosë është në interes të Rusisë.
“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është prioritet mbi të gjitha prioritet dhe urgjencë për Kosovën. Çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status-quosë është në interes të Rusisë, ishte pika për të cilën kishim pajtim të plotë me ambasadorin Hovenier”, ka shkruar Hyseni në Facebook.