Nisja e trenit në drejtim të Mitrovicës me sllogane urrejtje dhe konflikt nxitës nga ana e Beogradit, ka qenë një provokim rëndë.
Kështu tha ministri Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, gjatë mbledhjes së komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën po diskutohet rreth situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës.
Hyseni tha se institucionet e vendit ishin të përgatitura për një gjë të tillë, andaj edhe ndaluan trenin, duke përçuar mesazhin tek Beogradi se veprimet e tilla provokuese janë gabim dhe nuk do të tolerohen, raporton Ekonomia Online.
“Kemi pas takime të shumta midis dikastereve të Qeverisë në vend. Kemi pas takime paralajmëruese për vendimet që do të merren me këtë rast. Kemi dashtë të dërgojmë mesazh të qartë në Beograd se ai tren nuk mund të hyjë në Kosovë. Ka qenë një provokim i rëndë me sllogane urrejtje dhe konflikt nxitës që mund të shkaktojnë incidente. Kemi dashtë të bindim që Beogradi është gabim të provokohet një situate e tillë”, tha Hyseni, duke shtuar se në ditët në vijim duhet të jenë vigjilentë, pasi që Serbia mund të provokojë me situate të ndryshme.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se veprimet e Policisë së Kosovës janë mesazh i qartë për Beogradin që të mos ketë provokime të tilla.
“Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet dhe i përgëzoj. Planet e Policisë nuk kanë mundur të bëhen publike dhe të zbulohen paraprakisht. Policia ka shkuar më herët në bazë të spekulimeve që është minuar hekurudha. Aty është bërë një kontroll rutinor”, tha Hyseni.
Hyseni: Policia e Kosovës është e gatshme për rrënimin e murit
Hyseni ka folur edhe për murin në veri duke thënë se Policia është e gatshme të kryejë punën e saj edhe në këtë çështje, por që sipas tij paraprakisht duhet një vendim nga institucionet gjegjëse.
“Policia e Kosovës është e gatshme për rrënimin e murit, por nuk është kompani ndërtimore që ta bëjë këtë. Policia nuk i merr vendimet vet”, tha Hyseni.
Pavarësisht situatës së krijuar, Hyseni mendon se dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të ristrukturohet tërësisht.