Dy ditë pas varrimit të babait të tij, vjen në Kosovë, Hysni Gucati, i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me 4 vjet e gjashtë muaj burg dhe 100 euro gjobë, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Për ardhjen e Gucatit në Kosovë nuk është lëshuar asnjë Njoftim nga Dhomat e Specializuara, megjithatë, burime të RTKlive tregojnë se i njëjti ka mbërritur sot (e hënë) paradite.
Nën përcjelljen e rreptë të policisë së EULEX-it, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Gucati fillimisht ka shkuar te varri I babait të tij, Avdullah Gucati.
Ai është varrosur në varrezat e fshatit Marinë ku edhe jeton familja Gucati. Më pas, Hysni Gucati ka shkuar në shtëpi dhe ka qëndruar me familjarët për disa orë.
Mësohet se nuk është lejuar kontakti I tij me persona të tjerë, përveç anëtarëve të ngushtë të familjes.
Burime të RTKlive saktësojnë se Hysni Gucati do të fluturojë sonte drejt burgut në Hagë.
Avdullah Gucati, babai i Hysni Gucatit vdiq të premten e 27 majit, pas një sëmundje dhe qëndrimi disa ditësh në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Disa ditë para se të ndërronte jetë, Hysni Gucatit iu lejua që të vijë në Kosovë dhe nën përcjelljen e forcave të policisë, ai arrti të takohet dhe çmallet sadopak me prindin e tij.
Me 18 maj, trupi gjykues i Gjykatës Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me katër vite e gjysmë burgim dhe gjobë prej 100 eurosh, Hysni Gucatin. Ai është shpallur fajtor për pikat 1,2,3 dhe 5 të aktakuzës.
Gucati është shpallur i pafajshëm për pikën 4 të veprës penale hakmarrje.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, u akuzuan për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.