Hysni Gucati: Nga Kosova dhe Shqipëria pritet pjesëmarrje e madhe në protestën për ish-krerët e UÇK-së

Prishtinë | 15 Tet 2025 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Në lidhje me procesin që po zhvillohet në Hagë, do të mbahet një protestë mbarëkombëtare me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë, ku do të bëhet thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të krerëve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka dhënë detaje për “Front Online” lidhur me protestën e paralajmëruar që do të mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Gucati tha se nga Kosova janë nisur rreth 60 autobusë me qytetarë, ndërsa interesi është i madh edhe nga Shqipëria.

“Veç përafërsisht mund të flasim e 60 autobusë nisën prej Kosovës, do të jetë një numër shumë i madh i qytetarëve se është interesimi shumë i madh në Tiranë. Kemi telefonata të shumta nga shoqata, shoqëritë civile, shoqata të ndryshme të Shqipërisë, komunat e shumta nga Shkodra e deri në jug që na kanë thirr kryetarët për interesim është një angazhim shumë i madh edhe nga kryeministri”, deklaroi Gucati.

Gucati: Kush e ndjen veten shqiptar duhet të jetë prezent në protestën për çlirimtarët në Tiranë

Kryetari i OVL- UÇK-së, Hysni Gucati shprehet se protesta është paqësore dhe kërkon drejtësi, jo përplasje politike.

Sipas tij, gjykata në Hagë është e njëanshme dhe nëse dënohen ish-krerët dënohet vetë shteti.

“Të gjithë duhet të bashkëngjitëm rreth atij flamuri kuq e zi duhet me ardh të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptar. Këto protesta janë paqësore ne po kërkojmë drejtësi dhe jo politikë, s’kemi nevojë ta shajmë askënd e as ta fyemë është gjykatë e njëanshme, nëse dënohet ata dënohet shteti”, ka deklaruar Gucati.

Ai tha se ka marr mbështetje edhe nga partitë politike në Kosovë.

“Të gjitha partitë politike i kam ftuar pa dallim dhe besoj që vijnë, ma ka konfirmuar Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi, Përparim Rama”, shprehet ai.

Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Kosovë më 7 gusht dhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Të ngjashme