Ka nisur të premten në Tiranë rigjykimi ndaj Ahmet Ajetit nga Lipjani. Ajeti ka nisur rigjykimin pas dënimit në mungesë me 20 vjet burgim për “tentativë vrasjeje” ndaj Lulëzim Berishës. Ahmet Ajeti ka mohuar akuzën, duke thënë se kishte ardhur në Tiranë për punë, por më pas disa persona i kishin kërkuar të vrasë, duke e kërcënuar në familjen e tij, por se nuk kishte pranuar.
Për këtë arsye ai ka deklaruar se është vetëplagosur. “Në gusht të vitit 2005 erdha në Shqipëri pasi kërkoja punë. Erdha bashkë me Osman Karpuzin, të cilin e njihja që nga viti 2001. Osmanin e kam njohur në luftën kombëtare të Maqedonisë. U ndalëm fillimisht në Tiranë tek një ndërtesë. Aty takuam dy persona, të cilët na thanë se mund të na siguronin punë. Por puna ishte në Durrës. Udhëtuam drejt Durrësit dhe na vendosën në hotel atje. Dy personat na thanë që ishte hoteli i tyre. Të nesërmen ata erdhën prapë dhe na sollën një armë bashkë me një fotografi. Na thanë këtë personin duhet ta vrisni. Më shumë biseduan me Osmanin”, ka rrëfyer Ajeti.
Ai tha se më pas është vetëplagosur në bark dhe ka deklaruar për policinë se është plagosur gjatë një sherri.“Por ne nuk donim të bënim vrasje. Ata na thanë s’keni shpëtim pa kryer veprën penale.