I akuzuari për krim të organizuar thotë se asnjë cigare nuk e ka shitur pa lejen e KFOR-it

Prishtinë | 10 Sht 2024 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë- I akuzuari Shaip Ferizi gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se as edhe një cigare të vetme nuk e ka shitur pa leje dhe dokumentacion mbështetës dhe se për të gjithë mallin që ka qarkulluar ka pasur fatura.

“Prej fillimit asnjë paqetë cigare pa lejen e KFOR-it s’e kam shitë. Puna e jem ka qenë me shitë cigare s’kam pas tjetër punë, tri vjet e kam punu këtë punë me procedura të njëjta”, dekaroi Ferizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklaratë, i akuzuari Ferizi e dha në rastin ku ai po akuzohet së bashku me Shqipe Avdiun, Mustafë Vitijën, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Arsim dhe Faton Topanicën, Arben dhe Hajdar Jasharin për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.

I akuzuari Ferizi tha se tri vite ka shitur cigare dhe se të gjitha shitjet janë me dokumentacione dhe se e ka përjetuar rëndë këtë akuzë. Ai shtoi se mbi 10 kërkesa ia ka drejtuar Prokurorisë që të dorëzojë dokumente, por se nuk e kanë thirrë.

Ndërsa, e akuzuara Shqipe Avdiu, gjatë dhënies së mbrojtjes ka sqaruar se me rrogën e saj si arkatare e ka mbajtur familjen dhe ka kryer të gjitha shpenzimet familjare.

Avdiu tha se shef në punën e saj ka qenë i akuzuari Shaip Ferizi dhe se tërë pazarin ditor ia ka dorëzuar atij.

Në anën tjetër, i akuzuari Besnik Ferizi gjatë mbrojtjes ka thënë se puna e tij ka qenë vetëm për ngarkimin dhe shkarkimin e cigareve dhe se nuk ka pasur kontratë pune.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Bekim Kodraliu, gjatë ballafaqimit me disa biseda telefonike shtoi se bisedat i kishte me të akuzuarin Shaip Ferizi.

Ferizi tha se nuk kujtohej se i ka thënë të akuzuarit Shaip në bisedë që pakot e zbrazta të cigareve të largohen dhe të mos e kuptojë ndonjë person tjetër për këtë situatë.

Ndërkaq, në heshtje u mbrojtën Mustafë Vitija, Arben dhe Hajdar Jashari, Mexhid Mustafa, Faton dhe Arsim Topanica,

Paraprakisht, trupi gjykues refuzoi propozimin e të akuzuarit Shaip Ferizi, i cili përmes mbrojtësit të tij, avokatit Besim Parduzi propozoi që të administrohen faturat që flasin për qarkullimin, me arsyetimin se të njëjtat nuk janë të mbështetura thelbësisht.

Ndryshe më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit për krim të organizuar: Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton dhe Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 18 dhjetor 2019 kjo gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it, kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Hajdar Jashari, i ngarkon me veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

Të ngjashme