Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të premten, është zhvilluar shqyrtimi kryesor në lëndën penale kundër të akuzuarit Remzi Shala, që akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë seancë i akuzuari është marrë në pyetje nga avokati i tij. Shala është përgjigjur vetëm në disa pyetje të mbrojtësit të tij dhe më pastaj ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes me heshtje.
Me këtë rast ai ka theksuar se nuk e ka njohur të ndjerin Haxhi Përteshi e as ndonjë anëtar tjetër të familjes Përteshi, meqë, sipas tij, nuk është marrë me popullsinë civile.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e akuzon Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.
Shala fillimisht ka theksuar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici më 14 prill 2016 dhe më 26 shtator 2016.