I akuzuari për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, Endrit Nika është dërguar të hënën në Gjykatën Themelore, ku po përballet me drejtësinë për vrasjen e rëndë në gusht të vitit 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht të 2023-tës, pas një mosmarrëveshjeje me viktimën M.K-U., fillimisht e kishte goditur atë në mënyrë të vazhdueshme dhe kishte tentuar ta shkelë me veturë në parkingun e një hoteli në Fushë-Kosovë.
Pas kësaj, të dy kishin hyrë në dhomën e hotelit ku po qëndronin, ku i akuzuari dyshohet se ka vazhduar dhunën fizike ndaj viktimës me qëllim që ta privojë nga jeta.
Aktakuza thekson se Nika e ka shtyrë dhe goditur viktimën deri në një qoshe të dhomës, duke ia pamundësuar largimin, dhe më pas ka nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit.
“Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet tutje në aktakuzë.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon Nikën me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.
Në seancën gjyqësore, përmes video-lidhjes, po marrin pjesë edhe familjarët e viktimës. Ndërkohë, i akuzuari ka kërkuar që gjatë procedurës gjyqësore t’i caktohet përkthyes i gjuhës gjermane, duke deklaruar se ka lindur dhe është rritur në Zvicër.