I akuzuari pranon se ishte pjesë e “ISIS”-it dhe se përfshiu fëmijën e tij në aktivitete të rrezikshme

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist” dhe “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, Visar Qukovci, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për veprat me të cilat akuzohet.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Afrim Shefkiu, i akuzuari Qukovci tha se ndihet fajtor për veprat penal të cilat i vihen në barrë.

“E pranoj fajësinë për veprat penale të cilat më vihen në barrë. Këtë pranim fajësie e bëjë me vullnetin tim. Po ashtu, premtoj se nuk do të përsëris vepra te tilla të ngjashme. Jam penduar thellë për veprimet e mia. Jetoj në gjendje ekonomike të vështirë”, tha i akuzuari.

Po ashtu, i akuzuari Qukovci deklaroi se më parë ka qenë i dënuar edhe për vepra tjera penale, por jo të kësaj natyre me të cilat është tashmë i akuzuar.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga mbrojtësi i tij sipas autorizimit, avokati Argjent Tigani dhe as nga prokurori Afrim Shefkiu dhe si i tillë është aprovuar nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokurori Shefkiu ka kërkuar nga gjykata që me rastin e vendosjes për llojin e lartësisë së dënimit, të merren parasysh disa rrethana lehtësuese dhe rënduese.

Prokurori Shefkiu ka propozuar që si rrethana lehtësuese të merren gjendja familjare e të akuzuarit dhe pranimi i fajit, ndërsa si rënduese pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore, shqetësimi i qytetarëve nga veprimet e te akuzuarit si në piken 1 dhe 2 të aktakuzës, si dhe gjendja faktike, se më parë ka qenë i dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.

Ndërsa, avokati Tigani ka kërkuar që gjykata që si rrethanë lehtësuese të vlerësojë pranimin e fajësisë, premtimin se në të ardhmen nuk do të bijën ndesh me ligjin dhe se ka qenë korrekt dhe bashkëpunues me organet e drejtësisë.

Po ashtu, avokati Tigani ka propozuar që ndaj të mbrojturit të tij, të ndërpritet masa e paraburgimit dhe që ajo të zëvendësohet me arrest shtëpiak, deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Këtë propozim, e ka kundërshtuar prokurori Shefkiu, ku ndaj të akuzuarit Qukovci ka kërkuar që të vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Shpallja në këtë çështje penale do të bëhet më 27 dhjetor, nga ora 09:00, ku kryetarja e trupit gjykues Musliu-Selimaj deklaroi se do të vendoset lidhur edhe me propozimin e avokatit Tigani për zëvendësimin e masës së paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 10 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Visar Qukovci për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, nga neni 250, paragrafi 4 të KPRK-së.

Fillimisht, ai akuzohet se më 28 qershor 2014, së bashku me tani të ndjerin Arbnor Ukzmajli, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka kaluar në territorin e Maqedonisë, pasi ka marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga Irfan Aqifi.

Sipas aktakuzës, thuhet se kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritur nga pjesëtarët e ISIS-it, dhe pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtar i kësaj organizate ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se gjatë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike, si dhe me jelek me eksploziv, duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve, organizatën terroriste ISIS, e që edhe më 29 dhjetor 2017, është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Qukovci, më 8 shtator 2017, në zonat e konfliktit në Siri, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka detyruar fëmijën e tij U.Q, i moshës tre vjeçar që të përfshihet në aktivitetet ku rrezikohet apo dëmtohet zhvillimi i fëmijës, në atë mënyrë që i vendos jelekun me eksploziv, duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë, e duke i thënë “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me kamerë


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme