I akuzuari rrëfen për arsyet që e shtyu të vrasë dy të rinj te Parku i Qytetit

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 13:35 | Nga

Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve Eron Agaj e Arianit Gashi që ka ndodhur te Parku i Qytetit në Prishtinë në vitin 2016, pas leximit të provave materiale e ka dhënë mbrojtjen i akuzuari për këtë vrasje Lulzim Idrizi si dhe janë dëgjuar dëshmitarët Muhamer Raifi e Emirian Hako.

Sipas të akuzuarit Lulzim Idrizi, krejt ngjarja kishte filluar një muaj para ditës kritike.

Arsyeja tha të ketë qenë një borxh prej 1,300 eurove për të cilat tha se një person nga Shqipëria me emrin Gerti ia kishte Eronit.

Për Gertin tha se me të është njoftuar nga Eroni i cili nga ai kishte blerë një sasi të drogës, dhe më pas pasi që nuk i kishte pëlqyer ja kishte kthyer mallin Gertit dhe i kishte kërkuar që t’ia kthente paratë.

Në lidhje me këto para sipas të akuzuarit përmes një telefonate të shkëmbyer në mes të Eronit dhe Gertit, ky i fundit i kishte thënë Eronit se kishte shkuar për t’ia sjell parat por pasi që nuk e kishte gjete atë aty, atëherë ato para ja kishte dhënë të akuzuarit.

Më pas i akuzuari tha se Eroni ja kishte kërkuar atij këto para.

“Vjen Eroni te parku i qytetit dhe më thotë biri parat që ti ka dhënë Gerti, unë i kam thanë se mu Gerti nuk më ka dhënë para, Eroni filloj duke më bërë presion duke më shajtë me familje dhe më tha nuk mundesh me ma lëshu mu. Unë i bëra be me familje se unë parat nuk i kam marrë, ai e ka nxjerrë alltinë dhe ma ka vendos në gjoks me tha ta mbushi gjoksin krejt me plumba dhe më ka gjuajt me dy shpulla, pastaj u largu”, deklaroi i akuzuari.

Pas kësaj ngjarje ai tha se ishte kthyer për në Shqipëri ku kishte qëndruar atje një muaj për t’u kthyer më pas përsëri në Kosovë për t’u kujdesur për motrën dhe fëmijët e saj pasi që bashkëshorti i motrës kishte udhëtuar për jashtë vendit.

Pas këtij rasti i akuzuari deklaroi se gjithnjë ka bartur me vete një pistoletë pasi që ndjehej i rrezikuar dhe pas disa ditësh qëndrimi në Kosovë tha se e ka thirrë Eroni në telefon dhe i ka thënë se dëshiron të takohet me të. Sipas të akuzuarit ai i kishte kërkuar që ta merrte me vete dhe veturën.

Pastaj tha se ai e ka marrë veturën e motrës së tij dhe ka shkuar te shtëpia e Eronit, ku atje e ka takuar atë së bashku me Arianitin e Ermalin.

Për Eroni deklaroi se ai i kishte thënë “zbrit nga vetura se kam për të biseduar me ty”.

“Në atë moment që unë kam dalë nga kerri Eroni ka dalë nga ana tjetër dhe mi ka marrë çelësat e kerrit, Arianiti e ka nxjerrë revolen, unë ju thash çka jeni tu bë se ky është kerri i motrës sime edhe pse unë nuk kam faj por ju jeni tu më bë me faj, i thash këtë kerr nuk e la këtu. Eroni i mori çelësat e kerrit dhe më tha ti ke me i dhanë ato para që i ke marrë se as Gerti nuk mu ka lajmëru më. Unë i thash që nuk dal prej kerrit shkova me e hap derën e kerrit pastaj ata të tre me kanë ngre zhag dhe kanë filluar duke me rreh, unë pistoletën e kam pasur në brez dhe nuk e kam nxjerrë”, deklaroi i akuzuari.

Në ato momente i akuzuari tha se në ballon kishte dalë edhe nëna e Eronit e cila u ishte drejtuar me fjalët: “moni djalin se gjynah”, kurse për Eronin tha se i ishte përgjigjur se ata i dinë punët e veta.

Pas këtij rasti Lulzim Idrizi tha se e kishte telefonuar edhe mikun e tij nga Shqipëria Emirian Hakon të cilit ja kishte sqaruar rastin dhe i kishte kërkuar ndihmë. Pas disa orësh edhe miku i tij kishte ardh në Kosovë dhe pastaj së bashku me të ishin takuar me Eronin dhe Arianitin të cilëve u kishin kërkuar që t’ia kthenin makinën duke u premtuar se do ta gjenin Gertin dhe do ta rregullonin këtë punë. Por që të ndjerët nuk i ishin bindur dhe kishin filluar ta shanin dhe ta kërcënonin me revole.

“Eroni më tha mua nuk më ha … ne e komandojmë këtë vend këtu. Arianiti e ka nxjerrë alltinë dhe ma ka shti në gojë. Dhe në qoftë se denoncon në polici do të vrasim ty me gjithë motrën”, tha i akuzuari ti kenë thënë të ndjerët.

Ditën e nesërme deklaroi se e ka takuar vëllanë e Eronit, Ermalin i cili e kishte pyetur se a ja kishte bërë parat Eronit dhe përkundër faktit se ky i kishte thënë se edhe pse nuk ja ka borxh do të mundohet që t’ia jap, ai e kishte goditur me shuplaka.

“Të nesërmen jam takuar me Ermalin tek parku i qytetit, ai më tha ‘o ke me i dhanë ato pare ja kom me të mbyt krejt’. I thash o Ermal ‘ato para po t’i kisha marrë do t’i kisha dhonë, dhe edhe pse nuk i kam marrë do të mundohem do t’i sajoj dhe do të t’i jap’. Aty mi ka hy dy shuplaka dhe e mbajke dorën në brez. Edhe aty e kam pas armën në dorë por nuk e nxjerrsha”, tregoi i akuzuari, i cili pastaj deklaroi se i kishte telefonuar Eronit të cilit i kishte thënë “O Eron pse me më rreh Ermali mu prapë, a nuk u kënaqet tu me rreh”. “Ai më tha hajt unë vi tash në park aty pritem”.

Më pas i akuzuari rrëfeu se si ka ndodhur rasti.

“Unë aty duke prit në park vinë ata, Arianiti dhe Eroni me motor. Unë isha tu nejt aty para parkut, pritsha me fol me ta dhe me shku me i ble disa gjëra për shtëpi dhe mendova që ka ardh tamam me bisedu, pastaj kur ka zbrit Eroni prej motori ka thënë tash kemi ardh me ta hek kryt. Aty unë e kam nxjerr revolen që e pata me vete dhe kam gjuajtur në drejtim të tyre, kam gjuajt dhe kam shku”, tregoi i akuzuari.

Arsyeja se pse ka qëlluar në tashmë të ndjerët tha se ka qenë pasi që ka qenë i frikësuar.

“Unë nuk e kisha për t’i vrarë, sepse kur më tha Eroni thash kemi ardhë me ta heqë kryet unë u frikova dhe gjuajta me armë në drejtim të tyre, sepse mendova se kësaj radhe njëmend kanë ardh me ma heq kryet pasi që herëve të tjera më kanë rrah”, deklaroi ai.

Gjatë kësaj seance në cilësi të dëshmitareve u dëgjuan edhe Muhamer Raifi e Emirian Hako të cilët rrëfyen versionin e tyre në lidhje me rastin.

Sipas aktakuzës Lulzim Idrizi me datë 29 gusht të vitit 2016 në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi me tani të ndjerin Eron Agaj, pasi që i ndjeri Eron ka shkuar me motorin e të ndjerit tjetër Arianit Gashi, të cilin e ka drejtuar vetë i ndjeri Arianiti, me qëllim që të bisedojë rreth borxhit.

Në atë moment i akuzuari Lulzim Idrizi me dashje që të njëjtit t’i privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Lulzim Idrizi me anë të këtyre veprave penale ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Të ngjashme