I arrestuari më parë për rezervat shtetërore Hafiz Gara vlerësohet dobët nga Ministria, pas ankesës, KPMShC i jep të drejtë

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Hafiz Gara, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërorë, që ishte arrestuar nën dyshimin me dallavere për rezerva shtetërore, është vlerësuar dobët për punën e tij në Ministrinë ku punon. Gara, që kishte qëndruar në paraburgim, është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil për këtë vlerësim negativ që ka marr duke konsideruar se vlerësimi i është bërë qëllimshëm për hakmarrje, duke e fituar rastin.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShC) ka vendosur në favor të Hafiz Garës, drejtor i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke anuluar vlerësimin e që i ishte bërë për punën gjatë vitit 2024, shkruan Periskopi.

Gara, i cili ishte arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skandal me rezervat shtetërore, ku sipas Prokurorisë, një sasi e konsiderueshme e grurit dhe vajit të paguar nuk kishte mbërritur fare në depot e shtetit, me një dëm të dyshuar rreth 700 mijë euro, përballet tashmë me një tjetër sfidë, përjashtimin e qëllimshëm nga procesi i rregullt i vlerësimit të performancës në punë nga ana e MINT.

Sipas vendimit të KPMShCK-së me nr. A.nr.480/2025, të datës 16 maj 2025, Ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke mos e vlerësuar fare punën e Garës për periudhën e plotë të vitit 2024.

Ai ishte vlerësuar vetëm për dy muajt e fundit të vitit, periudha në të cilën vlerësimi ishte bërë nga ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të MINT-it, Qefsere Ajeti, e cila i kishte dhënë Garës vlerësimin më të ulët –“ka nevojë për përmirësim” –.

Në ankesën e parashtruar nga Gara, thuhet se vlerësimi ishte i padrejtë, tendencioz dhe një përpjekje e hapur për të përgatitur terrenin ligjor për largimin e tij nga pozita që mban.

KPMShCK ka konstatuar se Ministria ka pasur tre persona të ndryshëm që kanë ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm gjatë vitit 2024, dhe secili prej tyre ka pasur detyrim ligjor ta vlerësonte Garën për periudhën përkatëse. Ky detyrim nuk është përmbushur, duke e lënë jashtë çdo procesi të rregullt ligjor për pjesën më të madhe të vitit, shkruan Periskopi.

Bazuar në legjislacionin përkatës, përfshirë Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe rregulloret për vlerësimin e performancës në shërbimin civil, KPMShCK obligon tashmë Ministrinë që, Daut Latifaj, që mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit deri në maj 2024, Sebahate Bushrani ushtruesja e detyrës së sekretares nga maji deri në nëntor 2024 dhe Qefsere Ajeti, që e mbikëqyri Garën nga nëntori deri në fund të dhjetorit, të kryejnë vlerësimet për periudhat përkatëse brenda afatit prej 15 ditësh.

Gjithashtu, Zyra e Burimeve Njerëzore e MINT-it dhe zyrtarët administrativë janë urdhëruar të ndërmarrin të gjitha veprimet për zbatimin e këtij vendimi.

Hafiz Gara, sipas dosjes së prokurorisë ngarkohet se si Drejtor i Departamentit të Rezervës Shtetërore, ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe ka kundërligjshëm ka kërkuar përmes kërkesës nga i pandehuri Irfan Lipovica që të anashkalohen procedurat e prokurimit për blerjen e mallrave për rezervat shtetërore.

Gara dyshohet se kërkesën për anashkalimin e procedurave të prokurimit e ka bërë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. Gara ngarkohet se i kishte anashkaluar anëtarët e Komisionit dhe kishte lejuar Ridvan Muharremin të luante rolin e ndërmjetësuesit të Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore me operatorët në Turqi e Poloni.

Gara ishte arrestuar në vitin 2023, duke i lënë i lirë pas disa ditëve që kishte mbajtur paraburgim. Bashkë me garën ishte arrestuar edhe Irfan Lipovica. Prokuroria ende nuk ka ngritur aktakuzë, ndërsa po e kërkon ta intervistojë edhe deputetin dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por që po refuzon, përkundër që është gjobitur dy herë.

Të ngjashme