Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Besart Dedinca po akuzohet për vrasje në tentativë, të martën u dëgjua i dëmtuari F.S., i cili deklaroi se i akuzuari ka tentuar ta vrasë për shkak të një borxhi për narkotikë. Në anën tjetër, i akuzuari tha se e gjithë ngjarja ndodhi për borxh rreth bixhozit.
I dëmtuari përshkroi momentin e incidentit të ndodhur më 27 gusht 2025 në Obiliq, duke deklaruar se ishte duke lëvizur me veturën e tij së bashku me dëshmitarin B.K., dhe se në momentin kur ka kaluar pranë parkut të qytetit në Obiliq, i akuzuari Dedinca është ngritur nga karrigia ku ishte ulur dhe ka nxjerrë armën e ka shtënë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Largësia ka qenë diku katër metra deri në pesë dhe kur ka shti dy herë… tani edhe një herë të tretë kur jam drejtu unë”, deklaroi i dëmtuari, duke shtuar se gjuajtja e fundit është bërë nga një distancë prej rreth 15 deri në 20 metra.
F.S., deklaroi se konflikti rrodhi nga një borxh prej 2 mijë e 300 eurosh që i akuzuari ia kishte si avancë për kokainë. Tha se në atëkohë po merrte terapi mjekësore për t’u pastruar nga droga dhe nuk dëshironte më të blinte mall nga i akuzuari.
“Ka pasur qëllim me më vra, vetë nga vetë fakti që ka gjuajt në drejtim ka pasur qëllim me më vra”, deklaroi ai.
Mbrojtësja e të akuzuarit Dedinca, avokatja Albulena Sheholli kërkoi sqarime nëse i akuzuari kishte pasur për qëllim vrasjen apo vetëm frikësimin, duke sugjeruar se në distancë aq të afërt, po të kishte dashur ta privonte nga jeta, do të mund ta realizonte këtë me lehtësi.
Për këtë, i dëmtuari u përgjigj “veç Allahu më ka pshtu.. kam pas fat që kam shpëtuar”.
F.S., tregoi se pas incidentit kishte thirrur policinë e Mitrovicës, të cilët e kishin lidhur me rajonin e Prishtinës, dhe fillimisht kishte kërkuar patrullë për t’u shoqëruar pasi ndihej i kërcënuar për të shkuar në stacionin e Obiliqit.
I akuzuari Dedinca përmes mbrojtjes së tij propozoi dëgjimin e dëshmitarit A.D., i cili sipas tij do të vërtetonte se motivi i ngjarjes nuk ishte droga, por kumari. I akuzuari pretendoi se A.D., mund të dëshmonte për lojërat e kumarit që kishin luajtur bashkë te lokali i F.S.
Pas ndrhyrjes së të dëmtuarit F.S., kryetarja e trupit gjykues, gjytarja Fatime Dërmaku mori aktvendim për largimin e tij nga salla për prishjen e qetësisë.
Ndërsa, lidhur me propozimin e të akuzuarit Besart Dedinca, trupi gjykues e refuzoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarit A.D.
Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Dedinca deklaroi se konflikti kishte nisur për një borxh prej 2 mijë e 300 eurosh për kumar në lokalin e të demtuarit F.S., e jo për narkotikë.
Dedinca dekalroi se kishte humbur shuma të mëdha parash në lokalin e dëmtuarit në Vushtrri.
“F.S., të cilit ia kisha një borxh për kumar… ku kisha humbur diku afër 60 mijë euro në lokalin e tij në Vushtrri”, tha i akuzuari, duke shtuar se të dëmtuarin e njeh prej rreth 10 vitesh.
Gjatë muajit të fundit, i akuzuari Dedinca deklaroi se i dëmtuari kishte dërguar mesazhe ku e paralajmëronte se do t’ia merrte lokalin ose jetën, duke cituar “ne kena me ta marrë ja lokalin ja kena me ta marrë jetën“.
I akuzuari përshkroi se si i dëmtuari i kishte shkuar disa herë te shtëpia e tij në Obiliq, duke bërë siç tha ai “skena” dhe presione para familjes dhe fëmijëve të tij.
Ai shtoi se i dëmtuari sillej në mënyrë agresive, sipas tij si “gangsterat e Vushtrrisë që merren me fajde”, dhe se ditën kritike i dëmtuari kishte shkuar sërish te shtëpia e tij duke i kërkuar të dalë ose do ta vriste.
Gjithashtu, i akuzuari Dedinca deklaroi se kishte vepruar vetëm në mbrojtje.
“Në momentin që e kam nxjerrë revolen, e kam nxjerrë të paktën me largu prej oborrit të shtëpisë… nuk kam pasur qëllim me e dëmtu”, tha ai.
Dedinca kundërshtoi deklarimin e të dëmtuarit për numrin e të shtënave, duke deklaruar se ishin vetëm dy të shtëna e jo tri.
Në fazën e administrimit të provave, prokurorja Dulina Hamiti propozoi që si prova të administrohen vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve i datës 14 janar 2025, raporti i dëshmive nga njësia e teknikës kriminalistike i datës 27 gusht 2025, si dhe raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes lidhur me rastin.
Po ashtu, ajo kërkoi që si prova materiale të shqyrtohen foto-albumi nga njësia e teknikës kriminalistike lidhur me ekzaminimin e veturës, raporti analitik mbi analizimin e video-incizimeve i datës 22 gusht 2025, si dhe foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 dhjetor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besart Dedinca akuzohet se më 27 gusht 2025, në udhëkryqin në mes të rrugës “Rasim Hashani” dhe “Hasan Prishtina” afër sheshit “Dëshmorët e Kombit” në Obiliq, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin F.S., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta këtë të fundit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari F.S., ishte duke drejtuar automjetin e tij në të cilin ishte së bashku me pasagjerin- dëshmitarin B.K., i pandehuri Dedinca ka shtënë me revolen disa herë në drejtim të të dëmtuarit F.S., me ç’rast një predhë e hedhur nga arma e zjarrit e ka goditur xhamin e një lokali dhe një predhë ka depërtuar brenda lokalit- pronë e të dëmtuarit M.S., e më pas i akuzuari ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, i akuzuari Besart Dedinca akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dedinca me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, ka mbajtur në posedim në posedim të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin për armët, revolen të cilën e ka përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, e që arma e lartcekur me një karikator dhe pesë fishekë është sekuestruar nga ana e Policisë më 14 tetor 2025.
Me këtë, i akuzuari Besart Dedinca ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/