I dëmtuari thotë se dy të akuzuarit për fajde tentuan ta sulmojnë herën e kaluar në gjykatë

Prishtinë | 29 Maj 2024 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i dëmtuari Arton Shala deklaroi se të akuzuarit Artan Sejdia dhe Gëzim Alija kanë dashur ta sulmojnë kur ka qenë në gjykatë herën e fundit dhe se për këtë e ka njoftuar edhe Policinë.

“Gëzim Alija dhe Artan Sejdia, kam shqetësime. Adem Grashtica i ka ndalë para kësaj here për me më sulmu”, tha Shala.

Në këtë rast, për fajde po akuzohen Artan Sejdia, Gëzim Alija, Afrim Borovci dhe Adem Grashtica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, dëshmitari tjetër Labinot Shala tha se i akuzuari Artan Sejdia po e shanë dhe se sipas tij e gjithë çështja penale ka ardhur si rezultat i Sejdiut.

“Po na shanë shumë Artan Sjedia. Artan Sejdia është kryesori që ka ardhë kjo situatë”, deklaroi Shala.

Edhe dëshmitarja Vjosa Shala tha se është kërcënuar nga i akuzuari Artan Sejdia në rrjete sociale dhe në gjykatë, për çka deklaroi se ka dhënë deklaratë në Polici.

“Përveç se më ka kërcënu Artan Sejdia nëpër rrjetet sociale që po shkruan, edhe në gjykatë edhe në rrjete sociale më ka ndodhë, e kam paraqitë rastin”, shtoi Shala.

Paraprakisht, dëshmitarët Arton Shala, Vjosa Shala dhe Labinot Shala deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin gjyqësor kur çështja penale gjykohej nga gjykatësja tashmë në pension Shpresaj Hysaj-Hyseni.

Në këtë seancë, u konsideruan të lexuara deklaratat e dëshmitarëve Shkelzen Jusufi, Bedri Hajredini, Bujar Statovci dhe Fadil Gërguri të dhëna në shqyrtimet e mëhershme gjyqësore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sejdia, avokati Asdren Bytyqi tha se aplikimi i masave të fshehta mes të akuzuarit Sejdia dhe të dëmtuarit Shala është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi që si mbrojtje nuk posedojnë vendimin e gjykatës në procedurë paraprake.

Më pas, seanca u ndërpre pasi që prokurori Armend Hamiti, i cili në këtë seancë ishte në zëvendësim të prokurores tjetër, njoftoi se duhet analizuar lëndën që të shikohen se a ekzistojnë urdhëresat e gjykatës për aplikimin e masave të fshehta midis të akuzuarit Sejdia dhe të dëmtuarit Shala.

Ai tha se nga shkrimorja e Prokurorisë është njoftuar se ka shumë lëndë lidhur me këtë rast dhe se duhet analizuar se a është urdhëresa e gjykatës në to.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2017 Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Afrim Borovci kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Arton Shala ku i kishte dhënë 48 mijë euro në formë huazimi me afat kthimi prej një viti. Aty thuhet se marrëveshja gojore ishte që i dëmtuari të marrë 50 mijë euro dhe se për to kamata mujore ishte llogaritur prej 2 mijë euro, të cilën e kishte paguar 24 muaj pandërprerë përmes vëllait të tij në lokalin e të pandehurit.

Me këto veprime, Borovci po ngarkohet nga për veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Adem Grashtica ngarokhet se prej vitit 2011 e deri në shtator të vitit 2014 kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë materiale të të dëmtuarit Arton Shala, ku në formë huazimi Grashtica ia kishte dhënë Shalës shumën prej 20 mijë euro me kamatë mujore prej 2 mijë e 500 euro dhe pasi që paguan shumën e parë Shala merr sërish tri herë para me fajde nga i akuzuari Grashtica në shumën prej 65 mijë euro e duke u paguar për çdo muaj shumë prej 7 mijë euro në formë kamatee, e cila kishte arritur deri në vlerën prej 70 mijë euro.

Me këto veprime, Grashtica po ngarkohet për veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Aktakuza thotë se i akuzuari i tretë Gëzim Alija po ashtu duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Arton Shala nga fundi i vitit 2013 deri në tetor 2015, i kishte dhënë fillimisht 30 mijë euro në formë huazimi me afat kthimi prej një viti e me kamatë mujore prej 3 mijë euro. Përsëri, thuhet se i dëmtuari merr para në formë huazimi nga Alija tri herë në shumën prej 65 mijë euro dhe se në emër të kamatës ky i fundit ia kishte marrë të dëmtuarit Shala 18 mijë euro, duke ia kërkuar edhe borxhin fillestar prej 30 mijë euro.

Andaj, edhe Alija po ngarkohet për veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Kurse, i akuzuari Artan Sejdia sipas aktakuzës thuhet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Arton Shala, nga fundi i vitit 2009 deri në tetor 2015 ia kishte dhënë 50 mijë euro, një veturë të tipit “Golf” në vlerë prej 15 mijë euro në formë huazimi, por pasi që Sejdia udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kërkon të dëmtuarit t’ia paguajë shumën nga 1 mijë e 500 euro në formë kamate, meqë rast Shala i kishte paguar shumën prej 30 mijë euro për 24 muaj nga 1 mijë e 500 euro duke paguar kështu në total Sejdiut 80 mijë euro.

Prandaj, edhe Sejdia po ngarkohet për veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Të ngjashme