I dënuari për rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla, ka deklaruar se ka hyrë në grevë për shkak se i është zgjatur dënimi dhe se nuk dëshiron që të shoqërohet me armë të gjata kur shkon për t’u kontrolluar në QKUK.
Ai ka thënë edhe se për çdo problem të tij shëndetësor do ta bartë përgjegjësinë drejtori i burgut.
“Që nga data 28 korrik 2011 deri më 24 mars 2015 kam qëndruar në arrest shtëpiak dhe e kam respektuar me përpikëri sipas urdhrit të gjykatës”, transmeton Klan Kosova.
“Që nga data 24.03.2015 kam ardhur në burgun e Dubravës, ku në vitin 2016 na është dhënë kategoria rrezikshmëri e lartë, pa asnjë vërejtje, qoftë me shkrim apo me gojë”
“Kam pasur dy infarkte dhe gjashtë stenta, vuaj nga sëmundja e diabetit, hipertensionit, disa sëmundje tjera kronike”.
“Sot kam hyrë në grevë dhe kam refuzuar të shkoj në QKUK ku kam pasur katër kontrolla të rëndësishme, për arsye se Shaban Sylën duke e dërguar në QKUK kam pa njerëz me armë të gjata dhe kam refuzuar për arsye se më është dukur e çuditshme që një njeri i disiplinuar me u ruajtë në këtë mënyrë. Nuk dua të më ruajnë me armë të gjata. Nëse më ruajnë pa armë të gjata do të pranoja të kontrollohesha”.
“Në grevë kom hy edhe sepse më është zgjatur dënimi”.
“Për çdo problem shëndetësor do ta bartë përgjegjësinë drejtori i burgut, Nehat Thaçi, duke e ditur gjendjen time shëndetësore dhe duke e pasur raportin e shëndetit tim”, ka deklaruar Syla.
Hyrjen ne grevë e ka konfirmuar edhe avokati i tij mbrojtës, Haxhi Millaku.