I dënuari për vrasjen e Triumf Rizës ftohet sërish të dëshmojë në rigjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim që për herë të dytë të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit Arben Berisha, person ky i dënuar me 35 vjet burg për vrasjen e tani të ndjerit Triumf Riza.

Kjo pas propozimit të mbrojtëses së të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, e cila tha se dëgjimi i të dënuarit Berisha, arsyetohet me faktin se tanimë sipas saj, kemi një trup gjykues të ri dhe dëshmia e tij do t’i kontribuonte sqarimit të drejtë të kësaj çështje penale.

Andaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti mori vendim që për seancën e radhës në këtë rigjykim të dëgjoheshin në cilësi të dëshmitarëve Arben Berisha dhe dëshmitari tjetër Rrahim Abdullahu, ky i fundit i rekomanduar nga Gjykata e Apelit, pas kthimit të rastit për rigjykim.

Gjykatësi Hoti deklaroi se më 28 shkurt të këtij viti, ai kishte pranuar një parashtresë nga prokurori special, Haki Gecaj, përmes së cilës njoftohej heqja dorë e prokurorisë nga dëgjimi i dëshmitarëve Burim Osmani, Blerim Gashi, Naim Rudari, Naser Borovci, Fatmir Hajrizi, Musli Salihu, Bekim Rrustemi, dhe Andreas Hofverberg.

Një propozim i tillë, sipas parashtresës së prokurorit Gecaj, arsyetohej me faktin se dëshmitë e këtyre dëshmitarëve nuk janë relevante për çështjen, e cila është objekt shqyrtimi në këtë rigjykim.

Në rigjykimin e së premtes, gjykatësi Hoti ka aprovuar propozimin e avokates Kelmendi që të lexohen deklarimet e dhëna në gjykimin e kaluar nga dëshmitarët Bujar Makiqi, Fitim Avdiu, Fjolla Morina, Kemajl Dumnica, Jari Tonteri, Driton Hajdari, Refki Bunjaku, Astrit Dibra, Asrie Gashi, Naser Sekiraqa, Drita Hoxha, Osman Mehmeti, Dëshmitarja A, Ardian Grezda dhe Qenan Qerimi, të dhëna para gjykatësve të EULEX-it.

Ndërsa, Hoti, në këtë seancë mori vendim që të refuzohej propozimi i avokates Kelmendi, për leximin e deklarimeve të dhëna në gjykimin e kaluar nga dëshmitari i propozuar atë kohë nga prokuroria, Andreas Hofverberg, sepse sipas tij, ky dëshmitar nuk ka relevancë me objektin e çështjes dhe veprën penale për të cilën akuzohet tani Sekiraqa.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen më 14 maj, nga ora 09:00, ku do të dëgjohen dëshmitarët Arben Berisha dhe Rrahim Abdullahu dhe ajo e 23 majit, nga ora 09:00, me ç’rast gjykata ka planifikuar të bëjë administrimin e provave materiale në këtë çështje penale.

Ndryshe, kjo seancë ka filluar me 1 orë e 15 minuta vonesë dhe nga ajo që ka njoftuar gjykatësi Hoti rezulton se njësia e transportit kishte pasur pengesa në rrugë.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme