Sir Stuart Peach është i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor. Ai u emërua në këtë detyrë nga kryeministri britanik, Boris Johnson.
Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
Kush është Stuart Peach?
Sir Stuart Peach është ish-oficer i lartë i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe. Pas stërvitjes si lundërtar, Peach e komandoi skuadrën e bombarduese britanike dhe më pas u bë Zëvendës Komandant i Stacionit RAF Bruggen. Ai më pas u bë Komandant Ajror i NATO-s në Kosovë në vitin 2000, shkruan Gazeta Express.
Ai vazhdoi të ishte Shef i Inteligjencës së Mbrojtjes më 2006, Shef i Operacioneve të Përbashkëta në vitin 2009 dhe Komandanti i parë i Komandës së Forcave të Përbashkëta në dhjetor 2011 përpara se të emërohej Zëvendës Shef. i Shtabit të Mbrojtjes në Britani në maj të vitit 2013. Peach e pasoi gjeneralin Sir Nick Houghton si Shef i Shtabit të Mbrojtjes më 14 korrik 2016. Ai pasoi gjeneralin Petr Pavel si Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s më 29 qershor 2018, duke shërbyer në këtë detyrë deri në pensionimin e tij në qershor 2021.
Peach u lind më 22 shkurt 1956 në Staffordshire, Angli, nga Clifford Peach dhe Jean Mary Peach. Ai u arsimua në Aldridge Grammar School, në Aldridge, Staffordshire. Më pas, ai studioi gjeografi, ekonomi dhe histori sociale në Universitetin e Sheffieldit, duke u diplomuar me diplomë Bachelor më 1977. Më vonë ai studioi në Downing College, Cambridge, dhe mori diplomën Master i Filozofisë (MPhil) më 1997.
Peach shërbeu si Komandant i Forcave Britanike në Itali nga viti 1999 deri në 2000 dhe Komandant Ajror i NATO-s në Kosovë në vitin 2000. Si rezultat i punës në Kosovë, ai u emërua Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike më 6 prill 2001.
Kryeministri Boris Johnson tha për Stuart Peach se do ta t’i përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për ta mbrojtur paqen dhe për ta promovuar integrimin euroatlantik në Ballkan.
“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, tha Johnson.
Për emërimin e Sir Stuart foli edhe ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss.
“Emërimi i Sir Stuart Peach është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon. Mirëpres thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor si dhe punën së bashku për të penguar aktorët keqdashës. Sir Stuart Peach do të luajë një rol kyç në këtë drejtim”, tha ajo.