Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin me inicialet B.Sh., ndaj të cilit po hetohet vepra penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit, hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në vendbanimin dhe zyrën e punës së të dyshuarit.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj B.Sh.
Institucioni i akuzës ka ritheksuar angazhimin e përbashkët me Policinë e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që dyshohet se kryejnë vepra penale korruptive.