Njëzetetëvjeçari i dyshuar tashmë ishte dënuar për krime të lidhura me terrorin dhe ishte liruar nga burgu vitin e kaluar. Sulmi vdekjeprurës me thikë ngre pyetje të vështira për qeverinë britanike dhe shërbimet e sigurisë.
Policia britanike e antiterrorizmit intensifikoi hetimet të shtunën mbi njeriun që dyshohet se kishte kryer një sulm vdekjeprurës me thikë në urën e Londrës që vrau dy njerëz.
Autoritetet thanë që 28-vjeçari i dyshuar më parë ishte dënuar për krime të lidhura me terrorin dhe ishte liruar nga burgu vitin e kaluar.
“Ky individ ishte i njohur për autoritetet, pasi ishte dënuar në vitin 2012 për vepra terrorizmi”, tha në një deklaratë oficeri i lartë i policisë kundër terrorizmit, Neil Basu.
Burri ishte liruar në dhjetor të vitit të kaluar, që do të thotë se duhej të plotësonte disa kushte ose të përballet me kthimin në burg.
Policia kontrolloi një pronë në Staffordshire, në veri të Birmingham, ku i dyshuari kishte jetuar.
Dy persona, një burrë dhe një grua, u vranë në sulm. Tre të tjerë u plagosën dhe mbeten në spital për trajtim, thanë autoritetet, transmeton telegraf.
Autoritetet britanike thanë që ata po e trajtonin incidentin si një sulm terrorist, por thanë që ata nuk po kërkonin në mënyrë aktive të dyshuar të tjerë.