Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili, tash e disa ditë nuk ndodhet në zyrën e tij në Ministri të Financave. Pikërisht, gjatë kohës kur ka shpërthyer skandali i vjedhjes së 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, rast për të cilën është arrestuar dhe paraburgosur zyrtari i Ministrisë së Financave, Labinot Gruda.
Më 09 tetor 2020 në Thesarin e Shtetit ka ndodhur ajo që po quhet si “Vjedhja e Vitit”. Mbi 2 milionë Eurove të shtetit janë ‘avulluar’ përmes 4 transaksioneve në llogaritë e një kompanie private, “LDA Group SHPK”, që del të jetë e dyshimtë, nga Drenasi.
11 ditë pas, më 20 tetor 2020, Polica e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin Labinot Gruda, zyrtar në Ministrinë e Financave. Atij, Gjykata Themelore e Prishtinës tashmë i ka caktuar një muaj paraburgim, pasi po dyshohet se duke “Keqpërdorur Pozitën apo Autoritetin Zyrtar” kreu transaksionin e vjedhjes 2.78 milionëshe në Thesar të Shtetit. Derisa, pronarët e kompanisë që përfituan nga ky skandal, Kadri e Valon Shala, ndodhen në arrati, dhe besohet të jenë larguar krejtësisht nga Kosova.
Në ditën kur shpërtheu skandali i vjedhjes në Ministri të Financave, Shefi i Thesarit të Shtetit, nga ku u vodhën 2.78 milionë Euro nuk ndodhej në vendin e tij të punës.
Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili, siç merr vesh Gazeta Online ‘Reporteri.net’, prej ditësh ndodhet në pushim.
Burimet e Reporteri.net brenda Ministrisë së Financave thonë se arsyetimi që Ismaili e ka dhënë javën e shkuar, është se është nuk po paraqitet në zyrë pasi është i infektuar me COVID-19.
E së Ismaili ndodhet jashtë zyrës së tij është konfirmuar sot kur Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka dërguar disa pyetje, përmes e-mailit të tij zyrtar, me një përgjigje automatike ku njofton mos qasjen në e-email gjatë këtyre ditëve.
“(mesazh automatik) Përshëndetje i/e nderuar, Faleminderit për e-mail. Ju informoj se për disa dite nuk do te jem ne zyre, dhe pa qasje ne e-mail zyrtar”, thuhet në mesazhin që Ismaili e ka lënë tu shkojë automatik secilit që e kontakton në e-mail zyrtar në këto ditë. Ndonëse i njëjti nuk ka lenë shënim ndonjë datë se kur është larguar nga zyra, apo se kur do të kthehet në punë.
Tutje, ai referon që gjatë kësaj kohe të kontaktohet Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Thesarit, Medije Musliu, që sipas tij është në zëvendësim. Dhe përveç e-mailit të saj lihet edhe një numër telefoni i Ministrisë, që përkundër se Reporteri.net e ka kontaktuar disa herë, askush nuk është përgjigjur.
Se Shefi i Thesarit Ahmet Ismaili nuk ndodhej këto ditë në zyrë, si çështje, është ngritur të enjten mbrëma, në një debat televiziv.
Gazetari Vehbi Kajtazi, në Debat Plus, tha se Drejtori i Thesarit, që sipas tij është i afërt me Kryeministrin e vendit Avdullah Hoti dhe LDK’në, çuditërisht në këto ditë nuk ndodhej në zyrë dhe askush nuk po kërkon llogari ndaj tij për vjedhjen në Thesar.
“Drejtori i Thesarit z. Ismajli që është marrë nga BQK me vendim të Avdullah Hotit, i cili çuditërisht këto ditë ka qenë në pushim dhe nuk ka qenë aty dhe askush nuk kërkon llogari nga ai. Shefi i Thesarit ka qenë në pushim. Ai është njeri i LDK-së. Është emëruar në kohën kur Avdullah Hoti ka qenë ministër i Financave. Askush nuk kërkon llogari prej tij se si në institucionin që ai e drejton të ndodhë një vjedhje e tillë”, ka thënë Kajtazi në RTV Dukagjini.
Sa i përket lidhjeve politike të personave të përfshirë në këtë vjedhje, deri më tani dihet se i arrestuar Labinot Gruda nga Drenasi është anëtar i PDK’së. I njëjti kishte qenë edhe drjetor në Komunen e Drenasit që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i partisë së Kadri Veselit.
Ndërsa pa prapavijë politike nuk është as një prej biznesmenëve të arratisur. Kadri Shala nga Llapushniku i Drenasit doli të jetë anëtar i NISMA’s së Fatmir Limajt, derisa e bija e tij, Hajrije Gashi, deri në natën kur rrodhi në publik ‘Vjedhja e Vitit’, kur edhe u shkarkua nga detyra, kishte qenë këshilltare e zëvendëskryeministres që vjen nga e njëjta parti, Albulena Balaj-Halimi.