Në varrezat e kryeqytetit në Arbëri i është dhënë lamtumira e fundit doajenit të muzikës shqipe, Ismet Bogujevci, raporton Ekonomia Online.
Ismet Bogujevci ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme (e enjte). Ai la pas vetës gruan dhe dy fëmijë djalin dhe vajzën Për Bogujevcin u tha gjatë varrimit se “Të gjithë ne jemi rrit me këngët e tij”.
Në varrim pjesëmarrës përveç familjarëve ishin edhe shumë qytetarë.
Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjoci, tha se është me fat që ka jetuar në të njëjtën me kohë me Bogujevcin.
“Thjeshtësia jote madhështore nuk më lejon të flas për ty. Madhështia jote nuk kapet dot me fjalë. Ne ishim me fat që jetuam në kohën tënde, nga ti mora nga pak art e fisnikëri. Na le boshllëk me ikjen tënde nga kjo botë. E di që kështu i shtrirë mendon për të gjithë ne sepse i tillë ishe gjithmonë më shumë për tjerët se për vete. Jam i sigurt që duhet të mundohemi ta kujtojmë denjësisht çdo herë. Ti e ke përcaktuar piedestalin tënde. Lamtumirë bal, lamtumirë duajen”.
Po ashtu, për nder të tij, sot gjatë ditës janë bërë homazhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Krerët institucional kanë bërë homazhe para arkivolit me trupin e këngëtarit. Kryeministri Albin Kurti shpalosi kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.
Po ashtu homazhe ka bërë edhe kryekuvendari, Glauk Konjufca. Me këtë rast, në emrin e tij dhe të Kuvendit të Kosovës, kryekuvendari Konjufca iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të këngëtarit Ismet Bogujevci, si dhe komunitetit artistik të Kosovës.