Florijana Ismaili u përcoll për në banesën e fundit sot në prani të afro 1 mijë personave.
Futbollistës iu dha lamturmira e fundit nga bashkëlojtaret e Kombëtarës së Zvicrës dhe ekipit të Young Boys.
Ceremonia e varrimit u organizua nga Federata e Futbollit Zviceran, ku njerëzit u mblodhën në një sallë sportive në Worben në Bern të Zvicrës.
Bashkëlojtaret kishin veshur fanellat për ta kujtuar futbollistën e ndjerë e cila para disa ditësh humbi jetën në liqenin e Comos në Itali, shkruan Blick.Ch.
Gjatë ceremonisë u mbajtën disa fjalime nga familjarët, miqtë dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit.
Mes tjerash një përfaqësues i federatës së përmendur, në fjalimin e tij lamtumirës ka thënë se të gjithë janë krenarë me Florijanën.
“Është e vështirë të gjenden fjalët për atë që ka ndodhur. Por, për Florijanën si njeri nuk është e vështirë: ajo ka qenë një vajzë e qeshur, tolerante, e gatshme për të ndihmuar. Ka qenë një shembull, model. Të dashur prindër, ju mund të jeni me të vërtetë krenarë me të”.
Trupi i futbollistës së ndjerë u gjend në thellësi prej 204 metrash nga autoritetet emergjente italiane.