Me nderime të larta shtetërore është varrosur polici, Izet Demaj, i cili humbi jetën të enjten gjatë një përleshje me arme zjarri me një të dyshuar për plaçkitje të bankës, në qytetin e Istogut.
Varrimi i të ndjerit është bërë në varrezat e dëshmorëve në Koshare.
Presidenti i Koosvës, Hashim Thaçi e ka shpallur të shtunën ditë zie, për të nderuar policin e vrarë në detyrë.
“Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidentit.
Gjatë tërë ditës së sotme flamuri i Kosovës do të jetë i varur në gjysmë shtizë.
Demaj është polici i 20 i Kosovës që ka humbur jetën në detyrë.
Si pasojë e të shtënave të ndërsjella edhe personi i dyshuar për plaçkitje të bankës, ka mbetur i vrarë, po ashtu.