Është raportuar për një rast që ka ndodhur në Mitrovicë, ku avokati kosovar, Mahmut Halimi, dje kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës, pas mesazheve kërcënuese që mori nëpërmjet telefonit.
I dyshuari A.M., (emër i njohur për redaksinë), dyshohet se kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në adresë të avokatit Halimi, duke i dhënë ultimatum 24 orë që të tërhiqet nga mbrojtja në një rast.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 45-vjeçari e ka kërcënuar avokatin se në rast se nuk vepron ashtu siç i kërkon ai, kjo do t’i kushtojë me jetë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.