I mallkuari

Prishtinë | 07 Gus 2022 | 12:47 | Nga Afrim Kasolli

Ekzistojnë disa çaste të veçanta, kur mendja të shkon te disa heronj të mendimit botëror, mbase sa për t’ia përkujtuar vetes krajatat, vuajtjet dhe sfidat që ata i kaluan me synim që ta çlirojnë mendjen nga tutelat e autoriteteve. Një emër i tillë është B.Spinoza. Askush nuk e pagoi më shtrenjtë se ai barrën e filozofisë. Për të nocionet mendim dhe mallkim shkuan së bashku.

I lindur dhe rritur në një bashkësi hebraike me origjinë iberike, buzë lumit Amstel të Amsterdamit, ai do të përjashtohet dhe mallkohet nga ky komunitet në një moshë shumë të re, për shkak të pikëpamjeve të tij heretike. Ndonëse në kohën kur ai ishte ekskomunikuar, ato nuk i kishte shkruar ende. Për të siguruar ekzistencën e tij, ky filozof punoi një pjesë të jetës së tij si optikan.

Ai mbronte një pikëpamje të çuditshme për Zotin. Kjo doktrinë ndryshe njihet si panteizim. Sipas tij, Zoti nuk ekziston ashtu si e përfytyrojmë ne nga shkrimet teologjike. Ky përfytyrim është më shumë pjellë e imagjatës sonë dhe e projektimeve të qëllimeve njerëzore mbi krijesën absolute. Zoti nuk është krijesë që qëndron përtej natyrës, ai nuk sheh asgjë, as nuk pret asgjë nga ne, madje as nuk na ndëshkon ose shpërblen pas vdekjes. Prandaj, sipas tij, çdo gjë që gjendet e shkruar në këto shkrime është vetëm shprehje e supersticionit.

Megjithatë, Spinoza nuk e quajti kurrë vetën një ateist. Përkundrazi, ai mbronte tezën se tema kryesore e hulumtimeve të tij është Zoti. Sepse për të, Zoti ishte universi dhe ligjet e tij. Zoti është arsyeja dhe e vërteta. Madje ai shkruan, se çdo gjë që ekziston është në Zotin dhe asgjë nuk mund të konceptohet përtej tij. Kurse ky Zot mund të kuptohet në mënyra tjera, e jo ashtu si e proklamonin religjionet abrahamike. Madje, është iluzore që të shpresohet se kush do që e adhuron Zotin të pret që në të njëjtën mënyrë edhe ai ta adhuroj atë.

Për biografin e Spinozës, Steven Nadler, Zoti i Spinozës nuk është një ligjdhënës i mirë, i urtë a i drejtë, i cili i shpërblen ata të cilët i binden urdhrave të tij dhe i ndëshkon ata që devijojnë. Për Spinozan, “Zoti është Natyrë, dhe gjithçka që është, është Natyrë (fraza e tij është Deus sive Natura, ‘Zot ose Natyrë’). Çfarëdo që është ekziston në Natyrë, dhe gjithçka ndodh me domosdoshmërinë e mbivendosur nga ligjet e Natyrës. Nuk ka asgjë përtej Natyrës dhe nuk ka shmangie prej rendit të Natyrës – mrekullitë dhe e mbinatyrshmja janë pamundësi”. Në këtë kontekst, ne mund t’i afrohemi Zotit shumë më shumë me anë të vetë-njohjes, se sa predikimeve. Prandaj sipas tij, më afër këtij qëllimi janë shkencat, dijet filozofike, psikologjia, se sa shkrimet teologjike dhe klerikët.

Synimi kryesor i kryeveprës së tij “Etika” ishte që t’i çlironte njerëzit nga frika dhe pasionet. Sepse sipas tij “në qoftë se një person beson se Zoti do të shpërblejë të virtytshmit dhe ndëshkojë të ligët, jeta e tij do të qeveriset prej emocioneve të shpresës dhe frikës: shpresës për të qenë njëri prej të zgjedhurve, frikës së të qenit i destinuar drejt mallkimit të përjetshëm. Një jetë e dominuar nga të tilla pasione iracionale është, sipas Spinozës, një jetë e ‘robëruar’ e jo një jetë e lirisë së arsyes”. Prandaj, për këtë filozof, “njeriu i lirë mendon për vdekjen më së paku, dhe urtësia e tij është meditim mbi jetën, e jo mbi vdekjen”.

Mirëpo, për shumëkënd këto mendime të guximshme jo vetëm për kohën e tij, që mëtonin të zëvendësonin religjionet tradicionale me atë racionalist, pasqyrojnë kufizimet e filozofisë dhe pamundësitë e saj për të kuptuar, nevojat e multitudës njerëzor. “Sepse ajo që njerëzit i qon vazhdimit drejt këtyre doktrinave, nuk është thjesht vetëm arsyeja, por edhe frika, emocionet, besimi dhe traditat” forca këto që Spinoza i luftonte. Por ai e neglizhoi faktin, se ata thjesht i parapëlqejnë ritualet, dëshirën për të qene pjesë e kongregacionit etj etj, ”. Dhe ato nuk mund të zëvendësohen lehtë.

Mbase, edhe kjo është edhe arsyeja që vepra e tij Etika, edhe pse mund të ketë shumë më shumë argumente se sa shkrimet fetare, të cilat Spinoza, thoshte se -janë të shkruara nga njerëzit e rëndomtë dhe nuk e përfaqësojnë fjalën e Zotit- megjithatë, ajo hulumtohet vetëm në katedra të mbyllura të filozofisë, kurse pikërisht përmbajta e atyre shkrimeve dhe strukturat e organizuara të kongregacioneve të ndryshme që i mbështesin ato, vazhdojnë të kenë më shumë ndikim në organizimin e jetës kolektive njerëzore, edhe sot e kësaj dite. Në fund të fundit, as sot askush, nuk betohet në Etikën e Spinozës, por në librat e shenjtë. Paradoks ky, por i vërtetë.

Të ngjashme