Fotografi i modës Oliviero Toscani, i njohur për fushatat e tij reklamuese tronditëse për markën italiane të veshjeve Benetton, ka vdekur në moshën 82-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij.
Ish-drejtori i artit i markës zbuloi se të paktën një vit ai kishte amiloidozë, një gjendje e rrallë e pashërueshme që prek organet vitale dhe nervat e trupit.
“Me pikëllim të madh njoftojmë lajmin se sot, më 13 janar 2025, i dashuri ynë Oliviero ka nisur udhëtimin e tij të radhës”, tha bashkëshortja e Toscanit, Kirsti në një postim në Instagram.
Toscani u shtrua në spital të premten në Cecina, pranë shtëpisë së tij në fshatin Toskan, në një gjendje të rëndë. Në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera vitin e kaluar ai tha se kishte humbur pa dashje 40 kg në peshë. “Nuk e di sa më ka mbetur për të jetuar, por gjithsesi nuk më intereson të jetoj kështu”, shtoi ai.
Puna e tij tërhoqi vëmendjen ndaj temave sociale, si pandemia e Sidës, racizmi, lufta dhe dënimi me vdekje.
Duke nderuar punën e tij, Benetton publikoi një fotografi që kishte bërë për markën në vitin 1989.
I lindur më 28 shkurt 1942 në Milano, Toscani ishte djali i një fotografi të njohur të Corriere dhe ndoqi shkollën e artit në Cyrih. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai punoi për revistat kryesore të modës duke përfshirë Vogue dhe GQ dhe ndihmoi në nisjen e karrierës së modeles Monica Bellucci.
Ai fotografoi ikona kulturore si Andy Warhol, John Lennon dhe Federico Fellini. Por ishte gjatë qëndrimit të tij si drejtor në Benetton, një pozicion që e mbajti për 18 vjet, që e bëri atë të arrijë njohjen botërore.
Përdorimi i tij i modeleve të të gjitha racave u bë karta vizitore e labelit dhe popullarizoi logon “United Colors of Benetton” – por fotot e tij provokuese ndezën polemika.
Imazhet e rrobave të përlyera me gjak të një ushtari të vrarë në Bosnje u shfaqën në billbordet e Benetton në mbarë botën.
Përdorimi i tij grafik i një fotoje që përshkruan David Kirby, një burrë që vdiste nga SIDA, gjithashtu nxiti një bojkot të markës.
Tre zemra identike njerëzore të etiketuara të zeza, të bardha dhe të verdha lë të kuptohet për racizmin në modë, ndërsa një tjetër nga reklamat e tij – ku shfaqeshin një prift dhe një murgeshë duke u puthur – u ndaluan përfundimisht.
Ai u nda nga kompania me markën në vitin 2000 pas mosmarrëveshjeve rreth fushatës së tij të fundit, e cila përmbante imazhe të të burgosurve të dënuar me vdekje, me titull “të dënuar me vdekje”.
Ai ka thënë se fushatat e tij, të cilat preknin tema si të drejtat e njeriut, feja dhe racizmi, ishin të dizajnuara për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të caktuara.
“Unë shfrytëzoj veshjet për të ngritur çështje sociale,” i tha Toscani Reuters në një intervistë në atë kohë, ndërsa shpërtheu debati nëse fushata kishte shkuar shumë larg.
“Reklamat tradicionale thonë se nëse blini një produkt të caktuar, do të jeni të bukur, të fuqishëm seksualisht, të suksesshëm. Gjithçka nuk ekziston në të vërtetë,” tha ai.