Dita e pestë dhe e gjashtë e valës së motit të nxehtë që ka përfshirë Greqinë do të regjistrojnë edhe temperaturat më të larta.
Sipas shërbimit sinoptik kombëtar, temperaturat në disa zona, sidomos në Greqinë qendrore do të shkojnë nga 44 në 46 gradë celsius, ndoshta duke thyer rekordin prej 44,6 gradësh të 21 viteve të fundit të regjistruar në Serres në korrikun e vitit 2007.
Autoritetet greke kanë publikuar për këtë arsye dy qarkore të hartuara nga ministritë kompetente që parashikojnë mosardhjen në punë për disa kategori të caktuara të nëpunësve të administratës civile që i përkasin grupeve me disa sëmundje kronike të rënda si dhe një rekomandim për ndalimin e punës kur kjo konsiderohet e nevojshme midis orës 12:00-16:00 për punonjësit e sektorit privat në këto ditë të nxehta.
Gjithashtu në gatishmëri të lartë janë shërbimet zjarrfikëse pasi vetëm në 24 orët e fundit kanë përballuar mbi 60 vatra zjarri, më të fuqishmet në ishullin e Rodos ku u dogjën mbrëmjen e së dielës mbi 7000 hektarë tokë pyjore, por edhe në verilindje të gadishullit të Peloponezit.
Gjatë këtyre orëve, shërbimi në fjalë ka në gjendje pune mbi 950 zjarrfikës me 385 mjete, 21 avionë zjarrfikës dhe 17 helikopterë.
Siç ka deklaruar kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis mesditën e së hënës, vendi po përballet me të nxehtin më të fuqishëm prej vitit 1987, kur janë regjistruar qindra të vdekur nga moti i nxehtë dhe tepër i gjatë e intensiv i atij viti.
Ndërkohë ministria e Energjetikës ka paralajmëruar të gjithë qytetarët të bëjnë kujdes në përdorimin e kondicionerëve në shtëpi apo biznese pasi konsumi pritet të shkojë mbi 9500 megawëat, rekord i dekadës së fundit dhe si rezultat ekziston frika e ndërprerjeve të energjisë pasi sistemi nuk mund ta përballojë.
Meteorologët vlerësojnë se dita e martë do të shënojë temperaturat më të larta, ndërsa theksojnë se në fundjavë temperaturat do të shkojnë rreth 38-40 gradë celsius. Ndërsa javën tjetër pritet të normalizohet moti në të gjithë vendin.