I nxehti në Evropë shkrin akujt në Greenland

Prishtinë | 02 Gus 2019 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Vala e të nxehtit që javën e kaluar mbërtheu Evropën dhe theu rekordet e temperaturave, tani është zhvendosur në Greenland dhe rezultatet janë të dukshme.

Shtresa e dytë më e madhe e akullit në botë, po shkrihet shpejt dhe vala e të nxehtit po përshpejton procesin.

Vetëm në korrik, Greenlanda humbi 160 milionë tonë akuj. Pavarësisht se kjo në dukje po ndodh larg Evropës, pasojat do të ndjehen kudo.

Greenlanda është aktualisht kontribuesja më e madhe e ditëve moderne në rritjen e niveleve të detit dhe kjo shkrirje, vetëm në korrik, ka patur një pasojë ekuivalente me një rritje prej 0.5 mm të nivelit global të deteve. Shkrirja mund të thyejë edhe rekordin e korrikut 2012 kur 97 për qind e shtresës së akujve në Greenlandë përjetoi një shkallë të madhe shkrirjeje, pasi temperaturat këtë radhë pritet të qëndrojnë të larta.

Sezoni i shkrirjeve zgjat deri në fund të gushtit dhe vetëm atëherë do të mësohet, sipas ekspertëve, shkalla e shkrirjes. Vec të tjerash, këtë vit, sezoni i shkrirjes nisi një muaj më herët se zakonisht, transmeton “Balkanweb”.

Kjo, bashkë me të nxehtin ekstrem të qershorit, që u pasua nga temperaturat e larta të korrikut, që kulmuan me valën aktuale të të nxehtit, kanë kontribuar në një shkrirje të madhe të akujve.

Masat e ujit të shkrirë, që derdhen në det, qëndrojnë në sipërfaqe sepse uji i kripur i deteve është më i rëndë. Kjo, ndikon tek korrentet dhe krijon elementë të pazakontë moti, që ekspertët thonë se favorizojnë kushte ekstreme.

Nxehtësia inkurajon edhe avullimin, çka shkakton më shumë reshje. Me këto pasoja në mendje, aktivistët e klimës kërkojnë reagim në Greenlandë për të kufizuar shkrirjen e akujve. Arktiku si i tërë po ngrohet shpejt, ashu si edhe pjesa tjetër e globit, një fenomen që i është atribuar ndryshimeve të klimës të shkaktuara nga njeriu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme