Në një video urimi më të shkurtër se dy minuta dedikuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, e shfaq gjashtë herë Hashim Thaçin si protagonist të zhvillimeve që kanë çuar në mëvetësinë e Kosovës.
Nëse mbështetemi në thënien se “një foto flet sa njëmijë fjalë”, atëherë diplomati amerikan, brenda 115 sekondave i ka thënë gjashtëmijë fjalë për Thaçin. Po aq fjalë i ka thënë edhe për Fatmir Sejdiun e njëmijë fjalë për Jakup Krasniqin.
Dalluar prej tij, asnjëri nga tre liderët e shtetit të Kosovës nuk qe në gjendje t’ua përmend emrat kësaj tresheje qoftë edhe njëherë të vetme.
Lufta politike është legjitime kudo në vendet demokratike, por asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, inatet dhe rivaliteti nuk guxon të shkojë deri në atë shkallë sa të retushohet historia.
I pëlqeu apo s’i pëlqeu regjimit të sotshëm, Hashim Thaçi është lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë, Jakup Krasniqi është njeriu që e ka konfirmuar vullnetin e përfaqësuesve të zgjedhur për Kosovën – shtet të pavarur, sovran dhe demokratik dhe Fatmir Sejdiu është presidenti i parë i Republikës.
Pushtetet janë të përkohshme, historia është e përjetshme. Cezarit duhet dhënë atë që i takon Cezarit!