Sulmuesi i rrezikshëm kosovar planifikonte të transferohej në një klub të madh gjatë verës që vjen, por COVID-19 ia ka prishur çdo plan.
Koronavirusi ia ka prishur planet Vedat Muriqit.
Sulmuesi kosovar po shkëlqente këtë sezon në fanellën e Fenerbahçes dhe klubet e mëdha evropiane ia kishin vënë syrin atij.
Edhe pse kishte rënie të formës në ndeshjet e fundit, sezoni i përfaqësuesit kosovar deri tash ishte i shkëlqyeshëm.
Muriqi i ka realizuar 15 gola dhe i ka dhuruar 6 asistime në 28 ndeshje të zhvilluara deri tash këtë edicion.
Kjo ka bërë që klubet si Tottenhami e Manchester Unitedi t’ia vënin syrin atij, por interesim për të kanë shfaqur edhe klubet tjera angleze si Newcastle United, Leicester City, Burnley dhe Brighton.
Megjithatë, virusi COVID-19 e paralizoi tërësisht futbollin, duke ia prishur edhe prizrenasit ëndrrën për t’u transferuar në një klub më të madh.
Drejtuesit e klubit nga Stambolli janë të ndarë në mendime: një pjesë e tyre thonë se lojtari duhet të shitet gjatë verës.
E të tjerët thonë se Muriqi nuk e ka arritur ende vlerën reale, duke preferuar të pritet edhe një vit para se të shitet.
Vlera aktuale e Muriqit thuhet të jetë 20 milionë euro, ndërsa gjatë janarit Fenerbahçe e vlerësonte atë 35 milionë.
Pas shpërthimit me Rizesporin, 25 vjeçari po impresionon edhe me Fenerbahçen.
Ai është po ashtu lojtar mjaft i rëndësishëm në Përfaqësuesen e Kosovës.