Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth rastit tragjik që ndodhi dje në Deçan, ku një i ri u gjetë i djegur në shtëpinë e tij.
Sipas Policisë, trupi i viktimës ishte gjetur nga Njësiti i Zjarrfikësve, gjersa ishte duke intervenuar në lokalizimin e zjarrit.
“Fsh. Lloqan, Deçan 17.12.2021 – 06:35. Njësiti i zjarrfikësve gjersa ishte duke intervenuar në lokalizimin e zjarrit në një shtëpi e cila ishte e përfshirë nga zjarri, ka hasur në trupin e pa jetë të një mashkulli kosovar. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për autopsi. Rasti në hetime”, thuhet në raport.
Për vdekjen e të riut ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“I rëndë dhe pikëllues lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, e të riut Mentor (Canë) Himaj nga fshati Lloqan komuna e Deçanit. Ngushëlime familjes Himaj, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.