Është arrestuar një person në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ishte i dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim, për kultivim të bimëve narkotike.
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një 50 vjeçar, i cili është banues i fshatit Dërmenas të Fierit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin: S. S., 50 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier”.
“Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me 2 vite e 8 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284/1 i Kodit Penal. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./abcnews.al