I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të dyshuarit se fshehu dy armë pas të shtënave mes grupit Sekiraqa-Capat në Aktash

Prishtinë | 10 Tet 2024 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themeloren në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Vesel Bunjakut, i cili është arrestuar më 11 shtator nën dyshimin se ka manipuluar me prova në rastin e vrasjes që ndodhi më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit ndaj Bunjakut është vazhduar më 9 tetor.

“Ju njoftojmë se me datë 09.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit V.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Manipulim me prova dhe Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve. Të pandehurit V.B masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej (2) muaj”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 1 shtator 2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqa dhe tjetra e të pandehurit Fatos Abazi, raporton Betimi për Drejtësi.

Më tej, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Bunjaku shkon në tarracën e lokalit në drejtim të banakut, ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36, ku në duar nuk ka më asgjë.

Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Lidhur me kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit, Prokuroria kishte vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes të Bunjakut për faktin se i njëjti më herët ka qenë në vuajtje të dënimit për vepra tjera penale.

“Ndihmë në kryerjes e “Vrasjes” dhe “Armë mbajtje pa leje” dhe i liruar me kushte me datën 29.07.2024 (i ka edhe dy vite e dy muaj burg për të i vuajtur) dhe i njëjti pas ngjarjes fare nuk ka bashkëpunuar me policinë, qëllimi i tij ishte manipulim me prova, nuk i ka treguar policisë se ku janë armët dhe pse i ka dërguar atje duke i larguar nga vendi ngjarjes.”, thuhej në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Referuar kësaj kërkese, nëse Bunjaku mbetet në liri, mund të vështirësojë zhvillimin e procedurave penale dhe do ndikonte në zvarritjen e hetimeve e po ashtu, mund të ndikojë në mbledhjen e provave.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 1 tetor 2024 ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë.

Të ngjashme