I vetmuar! Është koha për t’u larguar!

Prishtinë | 24 Nën 2022 | 23:27 | Nga Kimete Berisha

Kur dikush kërkon nga Ti diçka që nuk mund ta japësh – ka ardhur koha të largohesh!

Kur dikush të detyron të bësh diçka që e di se është kundër bindjeve t’ua – ka ardhur koha të largohesh.

Presion i thonë secilës kërkesë që Ti e ke mërzi, e që të gjithë e dinë se Ti e ke mërzi.

Nëse lëshon pe një herë, e jep provimin se mund të lëshosh pe dy herë, dhe kështu me radhë, lëshon pe kundër bjndjeve t’ua…deri në atë pikë që nuk e njeh më veten.

Ia vlen!
Nuk ia vlen.

Unë jam aq naive sa nuk e di pse e ardhmja e Kosovës varet nga negociatat me Serbinë.
Nuk e kam të qartë se pse është shpikur një marrëveshje që edhe nëse arrihet mund të prishet në çdo çast.

S’e kuptoj pse sot flitet për planin e Ishinger të para pavarësisë – thuajse problemi është ndarja e Kosovës nga Shqipëria…

Sot në Kuvend, Albin Kurti tha se Kosova u pavarësua nga Serbia.
Zotni, Kosova nuk ka qenë kurrë nën Serbi, sepse Serbia vet u bë e pavarur më 2006.
Kosova ka qenë nën Jugosllavi e jo nën Serbi.
Kurrë shqiptarët s’kanë pasur shtetësi të Serbisë, por të Jugosllavisë.

Askush kurrë nuk ka ditur të tregojë Pse Kosova e pavarur varet nga negociatat me Serbinë!

Në Kuvend, sot, Kryeministri tregoi se nuk dëshiron të ecë vetëm…opozitës i tha ‘Unë nuk mundem pa juve, as nuk dua pa juve’.
Kjo është shprehje e vetmisë së madhe, tingëllon bukur dhe dhimbshëm, i afron njerëzit vetmia e tij – qe apo s’qe e vërtetë.

E vërteta është e padobishme…

Çdo gjë që Amerika dhe BE kërkojnë nga Albin Kurti, është në kundërshtim me premtimet dhe me ideologiinë e tij.

Është koha për t’u larguar.
…kur dikush lyp prej teje diçka që bie në kundërshtim me bindjet e t’ua – do me thënë…shko.

Një ditë para se të dorëzohet për targat, Albin Kurti e shpalli Borrelin antishqiptar, kurse Presidentja e quajti përkrahës të hegjemonizmit serb.

Të nesërmen, papritur, u bë siç deshti Borreli.

Nëse e ka pasur nijet ta pranojë marrëveshjen për targat, pse e mohon, e shan, e quan antishtetërore, pastaj papritur marrëveshja e keqe bëhet e mirë dhe e pranon.

Marrëveshjen e quan dakordim.
Demek nuk është marrëveshje.
Por, Dakordimi është ujdi, ujdia është marrëveshje.
Nuk mund të fshihet pas sinonimeve. Nuk i ndihmon pushteti.
Nuk i ndihmon asgjë.

Sepse, është në negociata me Serbinë. Pushtetin e ka fituar duke thirrur kundër
negociatave.

E pranon Asociacionin e komunave serbe, por zgjedhjet i ka fituar duke qenë kundër Zajednicës.

S’ka dert që e ndryshon një qëndrim, por këtij po i bie t’i ndryshojë të gjitha qëndrimet.

Asnjë armik nuk i duhet Albin Kurtit.
Tani po ia thyejnë hundën premtimet e tij.
Askush nuk po e gjykon, përveç premtimet e tij.

Premtimet e tij kanë qenë superluksoze, ekstravagante, të një superfuqie planetare.

Ka pas qejf me siguri, të bëj mrekulli…por, miu i parë i kaloi nëpër mustaqe (e mësoi udhën).

Tha: ‘Po, ujdia për targa ka qenë koncesion’.
Pas kësaj fjale, çka i duhet armik tjetër!

P.S. Vetmia tingëllon dhimbshëm, ama s’ka më e bukur se vetmia.
Veç trimat e dinë për çka e kam fjalën.

Të ngjashme