Ia hodhën borën në pronë, amerikani vret dy fqinjët dhe në fund veten

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Tre persona, përfshirë sulmuesin, kanë vdekur pas një grindjeje rreth heqjes së borës në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara.

Sulmuesi i identifikuar si Jeffrey Spaide u përfshi në grindje me James dhe Lisa Goy, të cilët jetonin në anën tjetër të rrugës dhe të cilët ishin duke e larguar borën nga rruga private, njoftoi zyra e prokurorit rajonal.

Dy personat që pësuan nga sulmi ishin duke e larguar borën nga hapësira e parkingut matanë rrugës dhe po e hidhnin atë në pronën e sulmuesit, thuhet në njoftimin e autoriteteve. Spaide u kërkoi që ta ndalnin këtë veprim dhe grindja doli nga kontrolli shpejt.

Pas grindjes, në njoftim thuhet se Spaide hyri në shtëpi dhe mori një pistoletë, doli jashtë dhe qëlloi shumë herë nga një distancë e afërt në drejtim të fqinjëve. Ai më pas prapë u fut në shtëpi dhe mori një armë të gjatë, me të cilën i qëlloi fqinjët, duke i lënë të vdekur.

Një zyrtar policor tha se kjo nuk ishte hera e parë që këta fqinjë ishin grindur rreth heqjes së borës. Dy muaj më parë, ata ishin grindur për të njëjtën arsye, por policia nuk ishte njoftuar për atë rast.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes pak minuta para sulmit ndaj dy fqinjëve nga amerikani dhe përderisa policët po afroheshin, dëgjuan një të shtënë nga shtëpia e sulmuesit, për të cilën besojnë se ishte e shtëna e vetëvrasjes.

Çifti i vrarë nga fqinji ka lënë pas një djalë 15-vjeç me autizëm. Për të tani do të kujdesen gjyshërit, shkruan CNN.

Të ngjashme