Emri i Karim Adejemit vazhdon të prodhojë debat në Gjermani, ku janë të sigurt se lidhja e tij me këngëtaren shqiptare Loredana, po e largon nga rruga e duhur në botën e futbollit. Lojtari i ri i Borusia Dortmund shihej si shpresa e të ardhmes së Gjermanisë, por në periudhën e fundit është folur më shumë për lidhjen me këngëtaren se sa për atë që po bën në fushë.
Adejemi së fundmi raportohet se ka refuzuar edhe një ftesë për të qenë pjesë e Gjermanisë U21. Djaloshi nuk ka marrë ftesë nga kombëtarja gjermane A, pasi nuk ka qenë në formën e duhur dhe nuk po aktivizohet rregullisht me Borusia Dortmund. Por ai ka refuzuar që të luajë me U21, duke deklaruar se do të përqendrohet në këtë javë te puna për të rifituar vendin te Borusia Dortmund.
Një situatë që nuk i ka pëlqyer as trajnerit të kombëtares A, Julian Nagelsman, i cili e ka jashtë planeve të tij pasi futbollisti duket që nuk është i përkushtuar ndaj fanellës. Dhe sigurisht, në një situatë të tillë mediat gjermane vazhdojnë të insistojnë përsëri se jeta e tij jashtë fushës së lojës, po ndikon shumë atë që bën në katërkëndorin e gjelbër, duke çuar dëm talentin e sulmuesit.