Një 21-vjeçar është shoqëruar nga Policia në Ferizaj, pasi kishte publikuar në rrjete sociale një video në të cilën shfaqej me armë zjarri.
Rasti është zbuluar më 21 shtator, kur Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj pranoi informatë lidhur me publikimin e videos.
Pas veprimeve hetimore në terren, policia ka identifikuar të dyshuarin me inicialet SH.M., 21 vjeç, ndërsa gjatë veprimeve të ndërmarra ka konfiskuar një armë pistoletë me gaz.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas intervistimit nga organet kompetente, 21-vjeçari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.