Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” SH.A. është ankuar në polici për lirim të pronave që janë të saja në fshatin Varagë e Poshtme.
Policia e Kosovës njofton se ka hapur një rast për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit, prona është e ndërmarrjes Ibër-Lepenci.
Lidhur me këtë rast është intervistuar një dëshmitar dhe rasti po hetohet.
“UZURPIM I PALIGJSHËM I PRONËS SË PALUAJTSHME
Fsh. Varage e Poshtme, Zubin Potok NN – NN. Me datën 04.12.2024, nga NPH Ibër Lepenc SHA, kanë kërkuar nga Policia e Kosovës për lirimin e pronave të paluajtshme dhe të kthehen te pronari NPH Ibër Lepenc SHA. Lidhur me rastin në cilësi të dëshmitarit është intervistuar një mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin, e ka cilësuar rastin në drejtim të veprës së lart-cekur dhe mbetet në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.
Kanali i ujit të Ibër-Lepencit u sulmua mbrëmjen e së premtes. Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Pas këtij sulmi, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë aktivizuar në terren për këtë qëllim. Kosova ka akuzuar për këtë sulm Serbinë. Sulmi është dënuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.