Ibishi: Ekzistonte frika e hakmarrjes ndaj bashkëpunëtorëve, rrezikohej të krijohej anarki

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar dëshminë dëshmitari Nuredin Ibishi i cili nga fundi i dëshmisë së tij u mor në pyetje edhe nga trupi gjykues,

Nga gjyqtari Fergal Gaynor, dëshmitari u pyet se si vlerësohej që një person ishte vërtetë kolaboracionist dhe si vihej deri tek vërtetësia.

Në përgjigje të tij, dëshmitari tregoi se mbrojtja civile ishte krijuar nëpër çdo fshat pasi që ekzistonte frika e hakmarrjes ndaj personave që ishin identifikuar si kolaboracionistë nga popullata.

“Së pari, në kuadër të lokaliteteve, çdo fshat kanë pas mbrojtjen civile që u kujdes për popullatën. Ne nuk i kemi njoftë njerëz, komanda në zona-bashkëpunëtorët kolaboracionistë. Mirëpo, popullata civile përmes mbrojtjes civile, ata që kanë qenë të njohur në bashkëpunim me forcat e armikut i kanë identifikuar që të mos krijohet anarki dhe ata të marrin veprime hakmarrëse ndaj tyre-kolaboracionisteve. Atëherë u dashtë të ndërmerren hapa që kjo të sanohet. Identifikimi ka shkuar përmes qytetarëve dhe mbrojtjen civile normalisht duke e njoftuar brigadën që ishte prezentë në atë rajon, raportoheshin nëpërmjet Policisë ushtarake në atë zonë dhe dërgoheshin në mbajtje. Ata u njoftoheshin për arsyeje e mbajtjes dhe kur përfundonte ata liroheshin”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se ekzistonte rreziku i hakmarrjes ndaj atyre personave që ishin identifikuar si bashkëpunëtorë të armikut.

“Rreziku më i madh ishte që mos po fillonte një hakmarrje ndaj atyre personave që ishin identifiku kohë më parë si bashkëpunëtorë të armikut”, tha ai.

Ibishi tha se nuk ka pas intervistim të personave të dyshuar si kolaboracionistë. Por, ai shtoi se UÇK kanë pasur pasoja të mëdha nga këta persona duke shtuar se Hyzri Talla ishte njëri prej personave që pësoi kur u vra në Prishtinë gjatë vizitës në familje.

“Pasojat kanë qenë të renda”, tha ndër tjerash dëshmitari Nuredin Ibishi.

Ai tha se nuk ka parë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm për ndalimin e personave por që më vonë kishte mësuar për këtë siç është komunikata 53 e cila kishte për qëllim parandalimin.

Ndërsa, për krijimin e qendrës së ndalimit në Llapashticë dhe për të ndaluarit, dëshmitari tha se vetëm mund të presupozojë pasi nuk e din.

“Nuk e kam pas atë komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm në kohën e luftës por pas luftës e kam parë si të tillë”, tha dëshmitari kur u pyet se a e dinte që Shtabi i Përgjithshëm ka lëshuar komunikatë për lirimin e të ndaluarve në dhjetor të 98-ës.

Në pyetjet e gjyqtarit Mettraux dëshmitari foli për vijën e raportimit, strukturat e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, disa nga vendimet që pretendohet që janë marrë e që shumica prej këtyre çështjeve janë diskutuar edhe me prokurorinë e me ekipet e mbrojtjes.

Dëshmitari u pyet edhe disa urdhra për amnisiti gjatë fundvitit në Zonën Operative të Llapit. Ai tha se amnistitë janë bërë me rekomandimin e komandantëve të brigadave e që vendimet janë nënshkruar nga Remi.

Ai tha se Shefi i ZKZ-së në Zonën Operative të Llapit, Latif Gashi e ka pasur zëvendës Hyzri Tallën i cili është vrarë në dhjetor të 1998-ës.

Përveç komandantit të zonës, dëshmitari tha se Gashit i raportonin shefat e ZKZ-së nëpër brigada.

Ibishi tregoi se në komandën e zonës u organizoheshin takime një herë në muajt ose edhe me rrallë qe varej nga situata.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe mbrojtjet e Thaçit dhe Veselit që shumica prej tyre ishin sqaruese.

Të ngjashme