Ibishi: Policia e Kosovës ka të drejtë të ndërmarrë veprime në çdo kohë dhe për çdo nevojë

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e 13, barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë, si dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, janë larguar nga dy pikat kufitare në veri të vendit, saktësisht në Jarinje dhe Bërnjak.

Kjo vjen pas marrëveshjes së arritur në Bruksel nga të dyja palët, derisa KFOR-i do të monitorojë gjendjen për dy javët e ardhshme në këto pika kufitare.

Eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net“, ka thënë se nga aspekti ligjor Policia e Kosovës ka të drejtë të ndërmarrë veprime në çdo kohë.

“Zbatimi i marrëveshjes sa i përket tërheqjes së protestuesve dhe barrikadave, d.m.th mjeteve të transportit dhe ato pengesa tjera që i kanë vendosur në rrugë, u tërhoqën, e me to së bashku edhe Njësiti Special i Policisë së Kosovës, ku deleguan që për dy javët e ardhshme kompetencat t’i kalojnë KFOR-it që të qëndrojë. Pra, nga aspketi ligjor qëndron që Policia e Kosovës ka të drejtë të ndërmarrë veprime në çdo kohë dhe për çdo nevojë”, tha fillimisht Ibishi.

Tutje, njohësi i çështjeve të sigurisë tha se serbët lokalë nuk kanë arsye që të protestojnë sërish, pasi protestuesit do të zbatojnë udhërin e Serbisë.

“Lidhur me këtë është edhe zotimi i palës serbe që nuk do të inicojë protesta, pra me kërkesën e tyre dhe protestuesit kanë zbatuar urdhërin e organizatorit, në këtë rast Serbisë. Kështu që unë mendoj se punët që janë në moniturim të Bashkimit Evropian do t’i zbatojnë procedurat dhe standartet evropiane në bazë të praktikave më të mira. Takimin e parë e kanë me 21 tetor, derisa këto ‘stikersa’ apo afishet do të fillojnë nga dita e hënë.
Marrëveshja dy palëshe nënkupton reflektimin në zotimin nga dy grupet punuese për një marrëveshje pozitive në të ardhme”, përfundoi Eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi për Reporteri.net.

Theksojmë se tani rikthyer totalisht qarkullimi i veturave që çon tek pika kufitare, Jarinje, derisa qytetarë të shumtë të Mitrovicë kanë dalur nëpër rrugë për të përshëndetur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës

Të ngjashme