Sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq i ka dhënë vetes gjashtë muaj për të parë nëse mund të luajë ende në nivelin elitar të futbollit me fanellën e një prej klubeve që ka histori të madhe në Evropë. Sipas tij, këta gjashtë muaj do të jenë testues përpara se të marrë vendim nëse do të vazhdojë të luajë edhe në edicionin 2020/21.
Ibrahimoviq, 38-vjeçar, te premten është zyrtarizuar tek ekipi nga Serie A, Milani pas kontrollimeve mjekësore dhe firmosjes së kontratës. Ibra fillimisht ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai te Milani është transferuar si futbollist i lirë, pasi në fund të vitit të shkuar i skadoi kontrata me ekipin nga MLS, Los Angeles Galaxy, shkruan sot Koha Ditore.
“Këta gjashtë muaj do të jenë vendimtarë, saktësisht do të jenë çelësi për të parë nëse jam në formë të mirë dhe mund të garantoj rezultate pozitive. Në të kundërtën, nuk e kam ndërmend të mbetem këtu sepse unë nuk dua vetëm të rri, por të luaj mirë dhe ta ndihmoj ekipin. Unë nuk jam i interesuar vetëm për të marrë pagën pa luajtur”, është shprehur Ibrahimoviq. “Sfida për të qenë në nivelin më të lartë më ka mbushur me adrenalinë dhe me padurim pres ta dëshmoj veten edhe një herë”.
Ibrahimoviq ndihet krenar që është kthyer te Milani, ekip me të cilin e pati fituar titullin e kampionit në Serie A në edicionin 2010/11 që ishte i fundit për ekipin nga “San Siro”. Në fakt, ai në Itali ka bërë karrierë edhe tek Interi (2006-2009) dhe Juventusi (2004-2006). Ibrahimoviq në Serie A ka 219 ndeshje të zhvilluara dhe ka shënuar 122 gola e ka dhënë 46 asistime.