Zlatan Ibrahimoviq ka konfirmuar se është i gatshëm të luajë për Suedinë në Kupën e Botës.
Sulmuesi 36-vjeçar i LA Galaxy ishte tërhequr nga Përfaqësuesja e Suedisë pas Evropianit 2016, mirëpo tash duket i gatshëm që të kthehet te Përfaqësuesja për Botërorin 2018 që mbahet këtë verë në Rusi.
“Mundësia që unë të luaj në Kupën e Botës është ‘skyhoga’“, ka shkruar Ibrahimoviq në “Twitter”.
“Skyhoga” është fjalë suedeze që përkthehet “e lartë si qielli”, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.
Ibrahimoviq është golashënuesi më i mirë në histori të Suedisë me 62 gola në 116 ndeshje, të cilat i ka shënuar nga viti 2001 deri në vitin 2016.
Ai ishte kapiten i Përfaqësueses së Suedisë nga viti 2010 derisa u pensionua dhe goli i tij me gërshërë nga afro 40 metra kundër Anglisë fitoi çmimin e golit më të mirë të vitit nga FIFA në vitin 2013.