Në moshën 86-vjeçare ka ndërruar jetë ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac, i cili në vitin 1999 u rreshtua krahas shteteve të perëndimit dhe përkrahu vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë.
Chirac ishte takuar në vitin 1998 me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilin kishte diskutuar për situatën në Kosovë dhe për represionin e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Në një konferencë para gazetarëve pas takimit në Paris, Chirac kishte thënë se Serbia është përgjegjëse për politikën e pastrimit etnik të Kosovës.
“Një gjë e tillë është totalisht e papranueshme dhe perëndimi nuk duhet të lejojë që një gjë e tillë të vazhdojë”, kishte deklaruar Chirac, raporton Gazeta Express.
Ish-presidenti francez tashmë i ndjerë, thoshte që një konflikt i tillë mund të eskalonte në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe kishte shprehur mbështetjen e tij të plotë për NATO-n.
Ndërkohë, Ibrahim Rugova i kishte kërkuar Chirac-ut që të ndalet represioni serb për shkak të ikjeve masive të popullatës shqiptare nga Kosova.
Rugova kishte thënë se duhet një reagim urgjent nga perëndimi.
“Represioni serb duhet të ndalet përpara se të fillojnë negociatat nga dy palët”, kishte deklaruar Rugova.