Më 31 mars luajti ndeshjen e parë në karrierë në nivel elitar. Në mes të majit mori ftesën për të luajtur për përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa përfshirja e tij në ekipin “dardan” u bë publike më 22 maj, kur përzgjedhësi Bernard Challandes publikoi listën për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë.
Karriera e mesfushorit kreativ, Ylldren Ibrahimaj, ka marrë hov në muajt e fundit. Ibrahimaj 23-vjeçar luan për Vikingun në kampionatin e Norvegjisë. Ibrahimaj është i lindur në Arendal të Norvegjisë, por është nga Kosova, shkruan Koha Ditore.
Me Vikingun vitin e kaluar luajti në kategorinë e dytë të Norvegjisë, ndërsa skuadra siguroi kalimin në elitë.
Kampionati i vitit 2019 në Norvegji nisi në fund të marsit, ndërsa Vikingu më 31 mars fitoi 2:0 ndaj Kristiansundit, me Ibrahimajn që asistoi të dy golat. Ai asistoi edhe në xhiron e dytë, ndërsa në të tretën shënoi gol. Gol tjetër shënoi në xhiron e pestë për start të fuqishëm të karrierës në ligë elitare.
Për Ibrahimajn nisën të shkruanin mediat në Norvegji, ndërsa ai shprehej i vendosur që të luante për Kosovën në nivel përfaqësuesesh, nëse eventualisht merr ftesë. Nuk vonoi shumë dhe ftesa i erdhi. Kur Challandes publikoi listën, Ibrahimaj kishte nëntë ndeshje për Vikingun në elitë. Ka startuar në të gjitha, ndërsa i ka kompletuar shtatë. Ai shquhet për pasimet dhe lojën kreative në mesfushë.
“Jam shumë i kënaqur për ftesën. Po ndihem shumë mirë, po ndihem i lumtur”, ka thënë Ylldren Ibrahimaj të premten për gazetën.