Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për mos blerjen e librave nga MASHT.
Ai në një prononcim për Insajderin tha se Nagavci nuk është konsultuar fare me drejtorët komunal të arsimit që prindërit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre.
“Po vazhdohet me marrjen e vendimeve në mënyrë arbitrare. Ministrja Nagavci nuk është konsultuar fare me drejtorët komunal të arsimit (DKA) për këtë metodologji, pra që prindërit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre, e që më pas ministria t’ua rimbursojë paratë atyre, përmes aplikimit në e-Kosova”, tha Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi ka thënë se AKK do të mbajtë takim me kolegjiumin e arsimit ku është e ftuar edhe Ministrja Nagavci, dhe do të diskutohet për këto probleme.
“Neve si AKK do e kemi takimin e kolegjiumit të arsimit (ku DKA-të janë anëtar) ku edhe do të diskutohen këto probleme. E ftuar është edhe Ministrja Nagavci. Pra po themi që këto vendime po merren pa u konsulutuar fare me komunat. DKA-të nuk janë të informuara fare për këtë çështje dhe kjo tregon se tekstet shkollore mund të vonohen akoma më shumë dhe që kjo të ketë pasoja në një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Nuk kemi informata lidhur me rregullimin ligjor të kësaj çështje. Ne jemi në dijeni se MASHTI e ka obligim Ligjor që t’I siguroj tekstet shkollore për nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar”.
Tutje Ibrahimi ka ngritur edhe disa pyetje, me të cilat mund të përballen prindërin në rast se u duhet të blejnë tekstet shkllore për fëmijët e tyre.
“Kush garanton se mjetet do të shpërndahen saktë në llogaritë e prindërve kur dihet se shumë prindër mund të mos kenë llogari bankare? Si do të përzgjedhen tekstet e shkollave nga ana e prindërve (fjala është për shtëpitë botuese)? Çka nëse një libër ka qenë I kontraktuar të shtypet për 5 eur e që po të njëjtin libër prindërit duhet ta paguajnë në librari 7 euro? Çfarë mase ka paraparë MASHTI që të jetë i sigurt se nxënësit do t’i blejnë të gjitha tekstet shkollore të parapara? Ka komuna që nuk kanë librari fare . Këto janë problemet që MASHTI është dashur t’I diskutojë me komunat përpara se të sjellë vendime të tilla”, ka theksuar ai për Insajderin.